Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Maldini tregon se ende po vuan nga efektet e koronavirusit

Paolo Maldini ka zbuluar se ende po vuan nga efektet e koronavirusit, tri javë pasi rezultoi pozitiv.

Mbrojtësi legjendar i Milanit ndjeu simptomat e para të sëmundjes më 5 mars dhe tri javë më parë tregoi se edhe i biri i tij Danieli është testuar pozitiv. Të dy ata raportohet se janë kuruar nga virusi, por ende po e marrin veten.

“Është e vështirë të rinisi. Sot u mundova të bëjë diçka tjetër në palestër, pas dhjeta minutave nuk kisha fare energji. E jo për faktin se jam 52-vjeçar”, ka thënë Maldini për gazetën “AS”, transmeton Koha.net.

Maldini dy javë më parë kishte thënë se po ndjehet më mirë pasi është rikuperuar nga sëmundja.

Ai kishte thënë për gazetën italiane “Corriere della Sera”: “Po ndjehem mirë, më e keqja ka kaluar. Ende kam pak kollë të thatë. Më ka humbur shija, shpresoj të më kthehet. Ishte si një grip pak më i keq. Por, nuk është grip normal. Unë e njoh trupin tim. Një sportist e njeh veten. Dhembjet ishin të mëdha. Më pas ndjenë si ndrydhje në gjoks, është virus i ri. Trupi lufton kundër një armiku të cilin nuk e njeh”.

Maldini po ashtu kishte shpjeguar se si virusi kishte ndikuar tek ai.

“Simptomat e para i ndjeva më 5 mars. Kisha dhembje të muskujve. Unë kurrë nuk pata temperaturë më të lartë se 38.5 gradë. Ditën tjetër isha paraparë të shkoja në fushën stërvitore, por qëndrova në shtëpi. Po ashtu e humba edhe ndeshjen Milan – Genoa. Unë e trajtova veten vetëm me tachipirin. Nuk mora asnjë anti-viral, pasi nuk pata kurrë probleme me frymëmarrje”, kishte thënë futbollisti legjendar.

Maldini gjatë karrierës fitoi pesë herë Ligën e Kampionëve dhe shtatë herë titullin e Italisë.