Futbollisti i ri nga Kosova, Mal Mehmeti është përforcimi më i ri i ekipit elitar të Kroacisë, Shibenikut. Ai të mërkurën u prezantua te Shibeniku, ekip me të cilin ka firmosur kontratë deri në fund të këtij sezoni me mundësinë e vazhdimit edhe për dy vite tjera.
Mehmeti 19-vjeçar te Shibeniku do ta bartë fanellën me numrin 58 dhe ka kohë që është duke u stërvitur me klubin duke e bindur shtabin teknik për t’i ofruar kontratë.
Ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Istrën, të cilën Shibeniku e luan në shtëpi më datën 27 shkurt.
Mehmeti luan si sulmues krahu ndërsa është lindur në Prishtinë. Ai në futbollin kroat është transferuar nga Trepça e Mitrovicës para një viti dhe ka luajtur për ekipin e juniorëve të Istrës përpara se pjesën e parë të këtij sezoni ta kalojë te ekipi i kategorisë së tretë, NK Trnje.
“Malit, i urojmë mirëseardhje dhe shumë fat me fanellën e portokalltë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Shibenikut, që zë vendin e shtatë në tabelë me 23 pikë pas 22 ndeshjeve të luajtura në kategorinë e parë të futbollit kroat.