Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Majlinda Kelmendi tregon për IJF-në se cilat gara fitohen më së vështiri

Majlida Kelmendi nuk garon më, por ajo vazhdon të jetë pjesë e ngjarjeve të mëdha të xhudos. Dhe natyrisht mendimet e vlerësimet e saj çmohen.

Majlinda është pjesë e ekipit të Kosovës që po merr pjesë në Kampionatin Evropian në Sofje të Bullgarisë. Për herë të parë paraqitet në rolin e trajneres në një kampionat zyrtare. Ajo ishte më herët në Grand Slamin e Parisit e po ashtu në një garë për fëmijë. Por për herë të parë është në një kampionat zyrtar. Po e udhëheq nga këndi Flaka Loxhën, xhudisten e kategorisë deri 57 kilogramë.

Në një moment të angazhuar në cilësinë e trajnerit kanë qenë edhe Majlinda edhe Driton Kuka, kryetrajneri i Kosovës në xhudo. Kuka e ka udhëhequr Distria Krasniqin, ndërsa Majlinda jepte këshilla për Flaka Loxhën. Kjo dëshmon rëndësinë e përfshirjes së Majlindës në ekipin e Kukës. Në të kaluarën kur xhudistët kosovarë kanë garuar në të njëjtën kohë, njëri ka mbetur pa këshillat shumë të vlefshme.

Pas karrierës impresive si xhudiste, Majlinda ka nisur mirë edhe si trajnere. Ndërkohë vlerësimet e saj i kërkon edhe Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF). Në një shkrim të publikuar të premten në sajtin e IJF-së për Evropianin në Sofje janë prezantuar qëndrime të Majlindës, që i dha fund karrierës pas Lojërave të Tokios, vitin e kaluar.

Majlinda ka katër tituj evropian, dy tituj të botës dhe një olimpik, ndër të tjera. Ajo është pyetur se cilët tituj fitohen më së vështiri.

“Për mua kampionatet evropiane janë më të lehta se kampionatet botërore. Por titulli botëror është më i komplikuar se Lojërat Olimpike. Në disa lojëra, sidomos nëse je bartës, të duhet vetëm një fitore për të zënë vend në çerekfinale. Titulli i botës është më i vështiri pasi më të mirët janë atje nga rundi hapës”, ka thënë Majlinda Kelmendi për IJF-në.

Edhe Dhjetë vjet nga e arta olimpike e Majlinda Kelmendit Luftarake Dhjetë vjet nga e arta olimpike e Majlinda Kelmendit

Ajo ka treguar për ekipin e Kosovës dhe për synimet, që natyrisht janë medalja.

“Ne kemi ardhur për medalje, së paku një. Dhe mendojmë se mund ta fitojmë, ndryshe nuk do të ishim këtu”, ka thënë Kelmendi.

Pos Majlindës në shtabin teknik të trajnerit Driton Kuka është edhe Fatos Tabaku.