Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mainzi e Nice suspendojnë lojtarët për postimet rreth konfliktit në Lindjen e Mesme

Klubi nga Bundesliga, Mainz, ka suspenduar sulmuesin holandez, Anwar el Ghazi për postimin në rrjetet sociale rreth luftës mes Hamasit dhe Izraelit, që klubi e ka quajtur të “papranueshëm”.

Klubi tha në faqen e tij se ka “liruar Anwar el Ghazin nga detyrat e tij të stërvitjes dhe ndeshjeve” për shkak të një postimi që e bëri të dielën, të cilin e fshiu më pas. Nuk thuhet se çfarë përmbante postimi, as nëse lojtari do të kthehet për të luajtur për klubin.

Në rrjetet sociale tashmë po qarkullon postimi i lojtarit, i cili ka shkruar se si dhuna e vazhdueshme “nuk është konflikt dhe nuk është luftë. Ky është gjenocid dhe shkatërrim masiv dhe ne po e shohim atë të ndodhë drejtpërdrejt”, para se të përfundonte postimin e tij me fjalën: “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”.

Zëdhënësja e Mainzit, Silke Bannick, nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme të mërkurën, duke thënë vetëm se El Ghazi ishte “liruar nga stërvitjet dhe aktivitetet e ditës së ndeshjes. Ju lutemi kuptoni se ne nuk do të komentojmë më tej përtej deklaratës zyrtare”.

Në faqen zyrtare, Mainzi shkroi: “Në postim, El Ghazi dha një opinion për konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, i cili u konsiderua i papranueshëm nga klubi. Përpara marrjes së këtij vendimi, klubi dhe lojtari ishin angazhuar në një diskutim të thellë.”

Edhe Futbollisti algjerian pezullohet nga Nice pasi mori anën e Hamasit Sport Futbollisti algjerian pezullohet nga Nice pasi mori anën e Hamasit

28-vjeçari El Ghazi, i cili më parë ka luajtur për PSV Eindhovenin, Aston Villan dhe Evertonin, iu bashkua Mainzit muajin e kaluar. Ai ka bërë tri paraqitje si zëvendësues për ekipin gjerman deri më tani. Ndërkohë, në Francë, Nice ka marrë një veprim sikurse Mainzi. Reprezentuesi i Algjerisë, Youcef Atal, është pezulluar nga klubi për një postim në rrjetet sociale në lidhje me konfliktin Izrael - Hamas. Mbrojtësi Atal, i cili është pjesë e Nicet që nga viti 2018, kishte qenë në grumbullim me Algjerinë kur bëri postimin dhe me t’u kthyer u ftua për të folur me krerët e Nicet për këtë çështje.

Luftëtarët e Hamasit vranë 1300 izraelitë më 7 tetor në sulmin më vdekjeprurës militant palestinez në historinë e Izraelit, ndërsa Izraeli u përgjigj me sulme ajrore intensive që kanë vrarë më shumë se 2.800 palestinezë.

“OGC Nice e kupton që lojtari e pranoi gabimin e tij duke hequr me shpejtësi postimin dhe kërkoi falje me shkrim dhe falje publike. Megjithatë, duke pasur parasysh natyrën e publikimit, klubi mori vendimin për të marrë menjëherë sanksionet e para disiplinore ndaj lojtarit, përpara atyre që mund të vendoseshin nga autoritetet sportive dhe gjyqësore. Klubi ka vendosur të pezullojë Youcef Atalin deri në një njoftim të dytë”, ka bërë të ditur Nice.

Algjeriani më herët kishte kërkuar falje për postimin e fshirë. Ai ka thënë se është i vetëdijshëm që postimi i tij ka tronditur shumë njerëz, gjë që nuk e kishte për qëllim. Shtoi se është kundër të gjitha formave të dhunës në botë dhe mbështet të gjitha viktimat. Atal dyshohet se ka shpërndarë një video nga një predikues palestinez në Instagram, që supozohet se bën thirrje për dhunë kundër popullit hebre. Edhe zyra e prokurorit publik të Nicet tashmë ka hapur hetim për futbollistin algjerian me akuzën “për mbrojtjen e terrorizmit”.

Edhe Mazraoui flet për postimin pro-Palestinës Sport Mazraoui flet për postimin pro-Palestinës

Së shpejti pritet edhe një futbollist tjetër të pezullohet për postim. Bayern Munichu është vënë në presion për të reaguar ndaj komenteve të futbollistit maroken Noussair Mazraoui, i cili nëpërmjet një postimi bëri lutje për fitoren e Palestinës.

“Bayerni menjëherë ka kontaktuar me lojtarin pas postimit të tij dhe ai do të përgjigjet sapo të kthehet nga grumbullimi me Marokun”, ka shkruar Bayerni.