Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lyoni e Paris FC përjashtohen nga Kupa e Francës

Ekipi i kategorisë së dytë franceze Paris FC dhe ai i elitës, Lyoni, janë përjashtuar nga Kupa e Francës të hënën për shkak të huliganizmit, i cili detyroi që ndeshja mes tyre më 17 dhjetor të ndërpritet pas pjesës së parë.

Deri në momentin e ndërprerjes rezultati ishte 1:1 në ndeshjen që po luhej në Paris, përpara se tifozët të futeshin në fushë pas incidentit që e patën në tribuna.

Në vend që ta përsërisë apo regjistrojë ndeshjen në favor të ndonjërit prej ekipeve, Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Francës, ka marrë vendim për përjashtimin e Parisit dhe Lyonit.

Në njoftim thuhet se komisioni “ka vendosur t’i përjashtojë dy ekipet, që sipas tij ishin përgjegjëse për incidentet e krijuara gjatë ndeshjes”, përkundër që presidentët e dy klubeve kanë fajësuar njëri-tjetrin.

Ky vendim, do të thotë që Nice, do të kualifikohet direkt në 1/8 e finales pasi dy kundërshtarët potencial – Paris FC dhe Lyoni janë përjashtuar nga garat.

Po ashtu, komisioni i ka dhënë një gjobë Parisit që bën gara në kategorinë e dytë prej dhjetë mijë eurosh, ndërsa Lyonin e ka gjobitur me 52 mijë euro. Po ashtu, Parisi është dënuar që pesë ndeshjet e ardhshme në shtëpi t’i luajë pa praninë e publikut.

Artikuj të ngjashëm