Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, ka thënë se fitorja 4:0 në stadiumin “Bajram Aliu” ndaj Feronikelit ishte më se e merituar, pasi sipas tij, e kanë lënë skuadrën nga Drenasi pa asnjë gjasë për të nxjerrë diçka nga ky takim.
Drenica fitoi kundër Feronikelit në kuadër të xhiros së nëntë në Superligë dhe e rimori përkohësisht kreun e tabelës.
“Pavarësisht kushteve të rënda atmosferike e terrenit të rënduar, unë jam krenar me këta djem për mënyrën, angazhimin dhe disiplinën që e treguan deri në fund. Nisëm furishëm dhe shënuam tri gola në pjesën e parë. Lojtarët u angazhuan dhe nuk lejuan Feronikelin të na rrezikojë. Çdo aksion e kemi ndërprerë në mesin e fushës. Këta djem meritojnë shumë. Shihet që kanë karakter fitues, pavarësisht që vinin nga humbja 3:2 në Suharekë, edhe pse ishim duke fituar 2:0. Jemi në rrugë të mbarë. Dalëngadalë po rritemi si ekip. Lojtarët, nga portieri e deri te lojtari i fundit, kanë vullnet, dëshirë, karakter. Po mendojmë që të arrijmë diçka të madhe në këtë kampionat”, ka thënë Lushtaku pas ndeshjes.
Drenica është lidere e Superligës me 17 pikë, shtatë më shumë se Feronikeli që renditet në vendin e shtatë.
Ndeshjen e radhës, Drenica e luan në udhëtim te Gjilani, kurse Feronikeli e pret Dritën.