Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, ai i Dukagjinit, Armend Dallku dhe ndihmëstrajneri i Prishtinës, Debatik Curri janë në procedurë disiplinore. Vendimi është marrë të mërkurën nga Komisioni Disiplinor i Federatës së futbollit të Kosovës.
Në arsyetim thuhet se Lushtaku dhe Curri kanë shkëmbyer fjalë fyese në drejtim të njëri-tjetrit dhe për të njëjtën arsye janë përjashtuar me karton të kuq në ndeshjen e 1/8 të finales të Kupës së Kosovës e zhvilluar ditë më parë. Për shkak të fyerjeve dhe akuzave në drejtim të gjyqtarit kryesor të ndeshjes për Kupë, Gjilani – Dukagjini është hapur procedurë disiplinore ndaj trajnerit Dallku.
Në disiplinore ka përfunduar edhe lojtari i Dukagjinit, Stefan Nikoliq si dhe dy lojtarët e Onixit, Visar Haxshijaj dhe Enis Gegollaj. Edhe klubi është në procedurë disiplinore.