Sport

“Lufta” për të udhëhequr me Departament të Sportit

Të hënën u bë një javë qëkur Fitim Arifi mori autorizim për të ushtruar detyrën e drejtorit të Departamentit të Sportit, detyrë të cilën e liroi Ibër Alaj. Ai e ka mbajtur gjatë pozitën e të parit të Departamentit të Sportit, por së fundi është “graduar”, duke marrë pozitën e ushtruesit të detyrës të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Arifi premton se do ta kryejë me përgjegjësi punën si ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Sportit.

“Jam duke punuar dhe do të vazhdoj të punoj me përkushtim dhe profesionalizëm në këtë përgjegjësi që më është besuar”, ka thënë Arifi të hënën për KOHËN.

Por jo të gjithë në Departament të Sportit e vlerësojnë të ligjshëm autorizimin që Arifi të udhëheqë me DS-në.

Autorizimi, që e ka lëshuar ish-drejtori Alaj, është vlerësuar si shkelje e nenit 19, pika 4, të ligjit të ri për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.

“Drejtori i departamentit, në rast të mungesës, zëvendësohet nga udhëheqësi i divizionit, i caktuar me shkrim nga vetë drejtori apo, në rast pamundësie shëndetësore, caktohet me shkrim nga sekretari i përgjithshëm”, thuhet në pikën 4 të nenit 19.

KOHA ka siguruar një kopje të letrës së zëvendësdrejtoreshës së Departamentit të Sportit dhe udhëheqëses së divizionit për Federatat dhe Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Afërdita Falija, e mbështetur edhe nga udhëheqësi i divizionit për sportin shkollor universitar dhe sportin për të gjithë, Fikret Shatri, dërguar më 21 korrik për ministren Vlora Dumoshi dhe Departamentin Ligjor të MKRS-së. Në letër thuhet se veprimi i Alajt bie në kundërshtim me Ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura.

“Ne si zyrtarë – udhëheqës të divizioneve gjegjëse, më datën 20.07.2020, në emailin tonë zyrtarë kemi pranuar një email-informatë nga drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës, z. Alaj, ku thuhet se për ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Sportit caktohet z. Fitim Arifi, me pozitë zyrtare menaxher i sportit në divizionin e Infrastrukturës, ku drejtori Alaj tejkalon hierarkinë e Departamentit të Sportit, duke bërë shkelje të nenit 19, pika 4 e ligjit të ri për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura. Ky veprim është në kundërshtim të plotë me ligjin, caktimi i zëvendësuesit të drejtorit-ushtrues të detyrës në Departamentin e Sportit të Kosovës”, thuhet në letrën e dy drejtuesve të lartë.

Fazlija insiston se është anashkaluar dhe se pret që të ketë një rishikim.

“Pas një takimi me ish-drejtorin Ibër Alaj jemi dakorduar që brenda kësaj jave ta sqarojmë këtë çështje, për të cilën ne besojmë që në momentin që është menduar që një zyrtar të marrë postin drejtues në departament bie ndesh me ligjin për shërbyes civil. Prej atij momenti nuk kemi mundur të procedojmë ndonjë lëndë më tutje. Në një formë puna në Departament është pezulluar. Unë besoj se nuk është përfundimtare, sepse ende nuk i është dhënë vendimi Arifit. Unë mendoj që të gjithë udhëheqësit e divizioneve dhe unë jemi anashkaluar, të paktën edhe nga ligji, por edhe nga përvoja 20-vjeçare e punës”, ka theksuar Fazlija për KOHËN.