Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lovren: Sulmuesit e Liverpoolit më të mirët në Premier Ligë

Mbrojtësi i Liverpoolit, Dejan Lovren, ka pohuar se sulmuesit Roberto Firmino, Sadio Mane dhe Mohamed Salah janë treshja më e mirë në Premier Ligë.

Të tre sulmuesit shënuan gola në fitoren 4 me 0 ndaj Arsenalit dhe në tre ndeshjet e para ata kanë realizuar shtatë gola. Mbrojtësi kroat ka thënë se fuqia e sulmit mund të bëjë dallimin në garën për titull sivjet, derisa ka lavdëruar krejt ekipin për fitoren bindëse ndaj londinezëve.

“Jam lojtar i Liverpoolit dhe natyrisht për mua ata janë më të mirët. Të tre janë top-lojtarë. Kanë shpejtësi dhe kualitet. Janë të mrekullueshëm. I shkaktuan shumë probleme Arsenalit. Jam me fat që nuk përballem me ta shpesh nëpër stërvitje”, ka thënë Lovren.

“Sezoni është i gjatë dhe do të shohim kah fundi se kush do të jetë në vendin e parë, por mund të shihni dallimin që bëjnë këta tre lojtarë”, ka thënë veç të tjerash mbrojtësi kroat.