Sport

Lotët që nuk e ndihmuan Kosovën

Të gjithë e pritën fitoren e parë të Kosovës, që nga Albert Bunjaki, lojtarët e deri te tifozët, të cilët në fund u dëshpëruan pas humbjes 1:0 nga Finlanda në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Nga humbja, Kosovën nuk e shpëtuan as lotët e Bunjakit në konferencën për media një ditë para ndeshjes, i cili u emocionua që shumë shpejt do të largohet nga Kosova dhe iku i përlotur nga konferenca.

Pavarësisht dëshirës së madhe, numri i tifozëve që ndoqën Kosovën në stadium ishte shumë i vogël, vetëm 2440 bileta ishin shitur, që i bie të jetë numri më i vogël i shikuesve deri me tani në ndeshjet e Kosovës si vendas.

Vetëm pak më shumë se 1 orë para se të nisë ndeshja, u panë “Dardanët” të cilët kishin ardhur për ta përkrahur Kosovën dhe ishin përgatitur për të festuar, ku disa prej tyre mendonin se e dinë edhe rezultatin e ndeshjes, në mesin e tyre ishte edhe kryetari i tifozëve të Kosovës, Lulëzim Berisha.

Entuziazmi si çdoherë i kushtoi Kosovës, e cila u mundua të shënojë golin e fitores dhe në kërkim të tij, pranoi një gol 7 minuta para fundit, gol që ishte i humbjes së shtatë në kualifikueset për Kupën e Botës.

Pas ndeshjes, shihej dëshpërim i madh, i cili i kishte kapluar të gjithë, ku disa prej lojtarëve nuk folën fare për media dhe ikën pa dhënë ndonjë sqarim.

Trajneri Albert Bunjaki, i cili e ka paralajmëruar largimin, tregon se si e pësuan humbjen nga Finlanda.

Valon Berisha, Hekuran Kryeziu, Vedat Muriqi dhe Leart Paqarada u shprehen shumë të zhgënjyer.

Ndërkaq, i pakënaqur që nuk luajti asnjë minutë në dy ndeshjet e fundit ishte Donis Avdijaj.

Dy prej arsyeve të numrit të vogël të përkrahësve të Kosovës mund të jenë largësia e madhe dhe çmimi i biletave, ku më e lira kushtonte 7 euro, e më e shtrenjta 110 euro.

Kosova dy ndeshjet e fundit kualifikuese i luan më 6 tetor kundër Ukrainës në “Loro Boriçi” dhe më 9 tetor si mysafire e Islandës.