Sport

Lotët dhe zemërimi i Kupës së Botës justifikojnë ciklin katërvjeçar

Më 1 dhjetor, Thomas Mueller u largua nga Kupa e Botës me lot. Në ditën e dytë, Luis Suarez, qau. Ditën e pestë, Maya Yoshida, qau po ashtu. Në ditën e nëntë, Neymar, qau. Në ditën e dhjetë, Cristiano Ronaldo, nuk u përmbajt nga lotët dhe Harry Kane u dorëzua.

Kjo është fuqia e një Botërori, një ngjarje ku emocionet nxirren në pah. Një ngjarje ku lojtarët e mëdhenj kujtojnë se janë djem të vegjël me ëndrra të mëdha. Asnjëri prej tyre nuk donte ta tregonte këtë. Suarez fshehu fytyrën në fanellën e tij, Ronaldo marshoi në dhomën e zhveshjes, Kane u përkul ndërsa shokët e tij larguan kamerat. Por ata nuk mund ta mbanin anglezin të mos qante.

Çdo Kupë Bote ka një gjë të madhe, si të shikosh historinë që shkruhet me ngjyrë të pashlyeshme. Çdo turne paraqet një pamje me momentet që e përcaktojnë atë: goli i Carlos Albertos në vitin 1970, “dora e Zotit” e Maradonas më 1986, ndërhyrja e ashpër e Nigel de Jong ndaj Xabi Alonsos më 2010.

Një Kupë Botërore ka definicionin e vet, një ndjenjë që pak rrugë çojnë në shanse të dyta. Kështu, ata qanë sepse e dinin se nuk mund të merrnin atë që kishin humbur.

Ronaldo nuk do ta prekë kurrë trofeun. Nuk do të ketë asnjë njohje për golin magjik të Neymarit në çerekfinale, i cili për rreth 13 minuta ishte momenti i tij ikonik, që përcaktoi karrierën dhe vërtetoi nivelin. Nuk do të ketë përsëritje të penalltisë së Kanet. Ndoshta një ditë ai do të ketë një mundësi tjetër për të udhëhequr Anglinë në një gjysmëfinale të Kupës së Botës, por udhëtimi për në atë moment është i gjatë dhe i pasigurt. Jo se futbolli është sport për t'i bërë njerëzit të qajnë, por aftësia e tij për të trazuar shpirtin është ajo që e bën shumë atraktiv.

Bisedat e fundit për transformimin e Kupës së Botës nga ngjarje katërvjeçare në dyvjeçare nuk ishin befasuese sepse paratë flasin dhe FIFA u përgjigjet atyre. Megjithatë, kaq shumë nga ky emocion i shtuar do të ishte çrrënjosur nëse do të kishte një tjetër Kupë Bote afër, dhe në këtë rast vetëm 18 muaj larg. Ajo që e bën Kupën e Botës kaq të suksesshme si produkt sportiv është mungesa, e cila shfaqet vetëm çdo katër vjet. Kërkon një dekadë për t'u ndërtuar, vite kualifikimi, muaj rritje, javë përgatitje dhe megjithatë, çdo shpresë mund të shuhet me një goditje.

Lionel Messi ka qenë gjallë për 35 vjet dhe ka luajtur futboll profesionist për gati dy dekada, duke ripërcaktuar atë që mendonim se ishte e pamundur. Megjithatë, nëse ai do të bashkohet me Pelen dhe Diego Maradonan në skenën e fituesve legjendarë të Kupës së Botës, do të dihet të dielën në ndeshjen finale kundër Francës.

“Është Botërori im i fundit”, tha ai. “Është mbresëlënëse të përfundosh duke luajtur një finale. Ka një rrugë të gjatë për të bërë për finalen e ardhme, ka shumë vjet dhe me siguri për shkak të moshës nuk do ta arrij atë”.

Vihet re se këtu ka pasur shumë pak shtytje për idenë e dyvjetorit. FIFA mund të ishte përpjekur të shfrytëzonte dramën e Katarit për të promovuar kauzën. Shefi i zhvillimit global të FIFA-s, Arsene Wenger, ishte fytyra e planit të diskutueshëm, por bëri një kthesë të madhe në komentet e tij për “L'Equipe”: “Unë në fakt po mendoja për Kupat e Botës dyvjeçare dhe mendova se nuk ishte një ide e keqe, por një zhvillim i tillë kërkonte një rishikim të plotë të kalendarit të kualifikimeve. Ne nuk do ta bëjmë këtë, por fokusohemi në një cikël prej katër vitesh që alternohet me një Kupë Bote, një Botëror për femra, që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, dhe me Evropianin”.

Kjo është me sa duket një gjë e mirë, por FIFA duhet të jetë gjithmonë vigjilente. Kërcënimi i një Superlige Evropiane vazhdon të jetë i dukshëm mbi futbollin e klubeve, pavarësisht përpjekjeve më të mira të atyre që kujdesen për këtë lojë. Pa dyshim që argumenti për një cikël dyvjeçar do të rishfaqet, sepse paraja e dikton këtë. Por mungesa e Botërorit është ajo që nënvizon gjithçka: dhimbja dhe paniku, inati mes Argjentinës dhe Holandës, pasioni dhe krenaria e Marokut, tensioni teksa lojtarët e Koresë së Jugut grumbulloheshin rreth një “iPhone” duke parë fatin e tyre të vendosur nga një lojë tjetër.

Ky Botëror ka treguar vlerën e një gjëje të rrallë dhe që ia vlen të mbrohet.