Xhudistja Loriana Kuka, do të zhvendoset në kategorinë deri 70 kilogramë me synim për t’u kthyer te sukseset e mëdha.
Loriana deri më tani, ka garuar në kategorinë deri 78 kilogramë, por së fundi ka pasur telashe për ta shfaqur potencialin. Në garën e fundit, në Botëror, u ndal në luftën e parë. Nuk ka shfaqur shumë as në Grand Slamin në Tbilisi dhe në Grand Slamin në Paris, garat e tjera ku u paraqit më herët këtë vit.
Dhe bashkë me trajnerin Driton Kuka, Loriana ka vendosur që të testohet në kategorinë deri 70 kilogramë.
Garën e parë në kategorinë e re, Loriana do ta ketë në Grand Prix që mbahet në Linz të Austrisë. Gara Grand Prix në Austri mbahet prej 25 deri më 27 maj.
Pos Lorianës në Austri do të garojnë edhe Laura Fazliu, Erza Muminoviq, Flaka Loxha, Akil Gjakova e Shpati Zekaj. Prej ekipit elitar nga kjo garë do të pushojnë Distria Krasniqi e Nora Gjakova.
“Jemi në fazë ku na duhet pjesëmarrja nëpër gara. Disa prej garuesve tanë kanë po ashtu nevojë për pikë për normë olimpike. Risi është që Lorianës i kam sugjeruar që të garojë në kategorinë deri 70 kilogramë. Do ta provojmë këtë në dy-tri gara. Nëse ecën mirë, atëherë mund të vazhdojmë. Nëse jo, kthehet në kategorinë ku ka garuar deri më tani”, ka thënë Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo. Janë edhe tri gara para se të nis viti i fundit i kualifikimeve evropiane. Më pas garat kanë vlerë më të madhe dhe në këto tri gara trajneri Kuka dhe Loriana do të kenë pamje më të qartë.
Loriana Kuka ka stagnuar pak në garat e fundit, dhe bashkë me trajnerin kërkojnë të reagojnë.
“Ajo po punon seriozisht, si i gjithë ekipi. Nuk ka nevojë të heq shumë kilogramë dhe kemi vendosur të provojmë në këtë kategori. Edhe Laura e Akili kanë nevojë për gara, ndërsa pres ngritje nga Flaka, Erza dhe Shpati. Ecjen para tani e synojmë përmes paraqitjes në gara”, ka shtuar trajneri Kuka.
Loriana nuk ka pikë në renditjen botërore në kategorinë deri 70 kilogramë. Për këtë arsye do të jetë e fundit sa i takon renditjes, në garën në Austri.
Vite më parë, ajo kishte lënë jetën në Zvicër për të ndjekur ëndrrën për karrierë të madhe në xhudo. U vendos në Pejë, ku e ka një pjesë të familjes. Trajneri Driton Kuka është axha i Lorianës.
Në vitin 2019, Loriana fitoi medalje të bronztë botërore. Ka po ashtu dy medalje të bronzta evropiane, ndërsa ka suksese edhe në të gjitha garat e tjera të mëdha të xhudos.