Loriana Kuka e ka fituar medaljen e artë në European Open, që të dielën përfundoi në Sarajevë. Ndonëse ka triumfuar në kategorinë deri 78 kilogramë, Loriana ka pranuar se ende nuk është në formën më të mirë. Për xhudisten kosovare ishte gara e parë që nga Lojërat Olimpike të Tokios.
“Kam munguar një kohë dhe është ndjenjë e mirë që jam kthyer. Kam pasur një pushim pas Lojërave të Tokios dhe kam punuar për të shtuar peshë, pasi jam ende e lehtë për kategorinë time. Kam ushtruar në mënyrë të zakonshme për një apo dy muaj. Po ashtu kam dashur të fillojë në një kategori më të lehtë që të kem më shumë luftëra. Po ndiej që nuk jam ende në nivelin më të lartë. Nuk është kjo paraqitja ime e vërtetë”, ka thënë Loriana Kuka për sajtin zyrtar të Unionit Evropian të Xhudos.
Në Lojërat Olimpike, Loriana ishte ndalur në luftën e parë. Synimin e kishte për medalje.
“Ishte vështirë pas Lojërave Olimpike, kam pasur pritje të mëdha. Së paku kam synuar ta kaloi pengesën e parë. Por nuk funksionoi, kjo është xhudo. Më është dashur pak kohë që të marr veten dhe të gjej motivim për të stërvitur sërish. Jam e entuziazmuar tani për Paris dhe shpresoj që mund të kthehem në nivelin tim të vërtetë. Fakti se Olimpiada e ardhshme mbahet menjëherë në vitin 2024, është motivim për mua”, ka shtuar Loriana Kuka.