Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lojtarëve të Arsenalit iu lejohet kthimi në fushën stërvitore

Foto: AFP

Skuadra e Arsenalit do të lejohet të kthehet në fushën stërvitore nga java e ardhshme, ndonëse klubi londinez ka bërë të ditur se lojtarët prapë duhet të ndjekin direktivat e qeverisë të caktuara për të luftuar përhapjen e koronavirusit, shkruan agjencia AFP.

Lojtarët e klubit të Premier Leagues së Anglisë do të kenë qasje në fushat stërvitore, por do të jetë regjim strikt, ku do të përkujdesen që të mbajnë distancën sociale.

“Lojtarëve do t’u lejohet qasja në fushat stërvitore në London Colney”, ka thënë zëdhënësi i klubit. “Qasja do të jetë e limituar, do të menaxhohet në mënyrë të kujdesshme dhe do të mbahet vazhdimisht distanca sociale. Gjitha ndërtesat në Colney do të mbesin të mbyllura. Lojtarët do të udhëtojnë vet, do të bëjnë ushtrimet individuale e më pas do të kthehen në shtëpi”.

Këtë javë, lojtarët e Arsenalit dhe kryetrajneri Mikel Arteta janë pajtuar për një ulje page prej 12.5 për qind.
Raportohet se Arsenali do t’i kompensojë lojtarët në rast se arrihet kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Futbolli aktualisht është i pezulluar në Angli, por po pritet të rinisë në qershor.

Pjesë e Arsenalit janë Granit Xhaka e Shkodran Mustafi. Xhaka më herët gjatë javës ishte në mesin e katër lojtarëve të Arsenalit që u akuzuan se kishin thyer kufizimin e vendosur nga autoritetet britanike.