Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lojtarët që dështuan me klube pas shkëlqimit në Botëror

Kampionatet Botërore kanë prezantuar disa lojtarë që me paraqitjet e tyre janë kthyer në superyje. Ata kanë realizuar lëvizje të rëndësishme në karrierë pas shkëlqimit në skenën më të madhe të futbollit.

Gjatë viteve janë bërë shumë transferime menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës. Madje edhe ekipe si Real Madridi, Manchester Unitedi dhe Liverpooli kanë afruar lojtarë që kanë shkëlqyer për përfaqësueset e tyre.

Skautët do t’i shikojnë me kujdes lojtarët e Kupës së Botës në Katar. Edhe më të vëmendshëm do të jenë për arsyen se afati kalimtar i janarit hapet jo shumë kohë pasi të luhet finalja e Botërorit, më 18 dhjetor.

Por nuk ka garanci që lojtarët që shkëlqejnë në Kupën e Botës do të jenë transferime të suksesshme. Në të kaluarën shumë prej tyre kanë dështuar.

“Daily Mail” ka paraqitur dhjetë nga futbollistët që kanë dështuar pas një Kupe të Botës.

Edhe FIFA paraqet dhjetë përfaqësueset që synojnë të kthehen në skenën më të madhe Botërori 2026 FIFA paraqet dhjetë përfaqësueset që synojnë të kthehen në skenën më të madhe

Alberto Tarantini (Boca Juniors - Birmingham City, 1978)

Lista niset me fituesin e Kupës së Botës 1978, i cili më pas pati kohë jo me shumë lavdi në Angli – ku përfshihet edhe goditja e një prej tifozëve të skuadrës së tij.

Në vendin e tij, në Argjentinë, mbrojtësi i krahut të majtë, Tarantini, pati reputacion për sjelljen e tij të rreptë. Pas një mosmarrëveshje për paga me Boca Juniorsin ai mbeti pa klub në maj të vitit 1978.

Pasi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në shtëpi, në vitin 1978, Tarantini kaloi te Birmingham City, skuadër që kishte përfunduar në vendin e 11-të.

Birminghami kishte transferuar edhe Ossie Ardilesin dhe Ricky Villan në atë verë.

Tarantini ishte titullar në vetëm 23 ndeshje dhe shënoi një gol. Karriera e tij në Angli përfundoi kur shkëmbeu grushte me një prej tifozëve të skuadrës.

Ai pati edhe një incident me Brian Greenhoffin e Manchester Unitedit.

Tarantini pati 61 paraqitje për Argjentinën. U kthye në Argjentinë në vitin 1979 për të luajtur për Talleres de Cordoba.

Ilie Dumitrescu (Steaua Bukuresht - Tottenham, 1994)

Dumitrescu u ble për 2.5 milionë funte nga Tottenhami pak javë pasi përfundoi Kupa e Botës 1994. Rumania shkëlqeu në garë dhe arriti deri në çerekfinale.

Përkrah Darren Andertonit, Nicky Barmbyt, Jurgen Klinsmannit dhe Teddy Sherringhamit, Dumitrescu ishte pjesë e “Pesëshes së Famshme” në sulmin e trajnerit Ossie Ardiles në edicionin 1994-95.

Edhe pse nuk ishte emër i madh siç ishte Klinsmanni, nga ai pritej shumë.

Trajneri Ardiles e humbi punën në tetor të vitit 1994. Dumitrescu nuk u pëlqye nga trajneri i ri Garry Francis, dhe rumuni u huazua te Sevilla.

Ai u kthye në “White Hart Lane” për edicionin 1995-96, por luajti vetëm tetë ndeshje në Premier League.

Karrierë bëri edhe te West Hami, për të cilin ekip luajti 10 ndeshje, ndërsa në vitin 1996 iu bashkua Club Americas.

Robert Jarni (Real Betis - Real Madrid (nëpërmjet Coventryt), 1998)

Përderisa të tjerët në listë kishin vështirësi të gjenin formën, Jarni asnjëherë nuk luajti për Coventryn pasi u transferua në vitin 1998.

Jarni impresionoi me paraqitje te Kroacia që përfundoi në vendin e tretë në Kupën e Botës 1998 në Francë – duke luajtur në të gjitha shtatë ndeshjet.

Trajneri i Coventryt, Gordon Strachan, reagoi aq shpejt saqë mposhti konkurrencën e Real Madridit për transferimin e tij për 2.6 milionë funte.

Problemi ishte se Jarni asnjëherë nuk e goditi topin nën drejtimin e Strachanit dhe u shit te Real Madridi vetëm një muaj më vonë.

Nuk ishte keq për Coventryn pasi përfitoi nga lojtari. Madrilenët shpenzuan 3.4 milionë funte për të.

Jarni asnjëherë nuk u përshtat te Reali dhe u përdor rrallëherë si zëvendësues, para se të shitej një vit më vonë te Las Palmas.

Denilson (Sao Paulo - Real Betisi, 1998)

Denilsoni është kryesori në këtë listë pasi regjistroi shumën rekorde të kohës.

Pasi u paraqit në secilën ndeshje të Kupës së Botës 1998 për Brazilin, futbollisti i Sao Paulos ishte një prej lojtarëve më premtues.

Nënshkroi për Real Betisin për 21.5 milionë funte.

Por, gjërat nuk shkuan mirë për të. Nuk ishte titullar dhe në sezonin e dytë me Betisin ra në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Braziliani u huazua te Flamengo, para se të kthehej te Betisi në janar të vitit 2001. Klubi u ngjit në La Liga, por Denilsoni sërish përdorej si zëvendësues.

Pavarësisht kësaj, ai ishte pjesë e Brazilit dhe fitoi medalje të Kupës së Botës 2002 në Korenë e Jugut.

Denilsoni i kaloi shtatë vjet si lojtar i Betisit dhe u paraqit në afër 200 ndeshje të ligës.

El Hadji Diouf (Lens - Liverpool, 2002)

Mund të jenë bërë dy dekada por vendimi për ta transferuar El Hadji Dioufin para Nicholas Anelkas ende trondit shumicën e tifozëve të Liverpoolit.

Edhe Lojtari i njohur argjentinas konfirmon fundin e karrierës ndërkombëtare Botërori 2026 Lojtari i njohur argjentinas konfirmon fundin e karrierës ndërkombëtare

Anelka impresionoi si i huazuar në “Anfield” në fund të sezonit 2001-02 dhe donte kalimin përfundimtar nga Paris Saint-Germaini.

Në vend të tij, skuadra e Gerard Houllierit njoftoi për transferimin e Dioufit, një ditë pasi ai ndihmoi Senegalin në fitoren ndaj Francës 1:0 në ndeshjen hapëse të turneut të vitit 2002.

Dioufi dështoi t’i kënaqte tifozët me paraqitjet dhe pati disa incidente – përfshirë një me tifoz të Celticut në Kupën e UEFA-s.

Pavarësisht se mbante numrin 9 në fanellë, shënoi vetëm gjashtë gola në sezonin e parë dhe nuk shënoi asnjë në sezonin e dytë. U shit te Boltoni në vitin 2004.

Salif Diao (Sedan Ardennes - Liverpool, 2002)

Një tjetër transferim i Liverpoolit nga Senegali pas arritjes impresive të vendit afrikan në çerekfinale të Botërorit 2002.

Ai u ble bashkë me Dioufin, ndërsa kushtoi 5 milionë funte. Nuk i arsyetoi pritjet.

Me ardhjen e Rafael Benitezit në vitin 2004, Diao luajti në pozitën e korrektuesit por bëri shumë gabime dhe u huazua në Birmingham City në janar të vitit 2005.

Më pas kaloi kohë edhe te Portsmouthi dhe i kaloi gjashtë sezone te Stoke City, me të cilën skuadër luajti në 106 ndeshje.

Kleberson (Atletico Paranaense - Manchester United, 2003)

Ai nuk nënshkroi me Manchester Unitedin deri në korrik të vitit 2003, por paraqitjet e Klebersonit në Kupën e Botës 2002 lanë pa fjalë tifozët e skuadrës angleze.

Mesfushori i Brazilit u vlerësua nga përzgjedhësi Luiz Felipe Scolari si “forcë lëvizëse”, që luajti rol në fitimin e trofeut.

Sir Alex Ferguson u pajtua plotësisht. E transferoi nga Atletico Paranaense në vitin tjetër dhe u prezantua si lojtar i Unitedit bashkë me Cristiano Ronaldon.

Por, Fergusoni gaboi me të. Klebersoni pati vështirësi të përshtatej me lojën angleze dhe luajti vetëm 20 ndeshje para se t’i bashkohej Beshiktashit në vitin 2005.

Andreas Isaksson (Rennes - Manchester City, 2006)

Isakssoni u transferua nga Manchester City në gusht të vitit 2006, pasi luajti katër ndeshje për Suedinë në Kupën e Botës.

Suedezët shkuan deri në 1/8 e finales por u mposhtën nga gjermanët.

Portieri suedez u transferua për dy milionë funte.

Lëndimet e lanë jashtë për kohë të gjatë dhe ai nuk u paraqit asnjëherë për skuadrën e drejtuar nga Stuart Pearce deri në dhjetor kur e zëvendësoi Nicky Weaverin në derbi kundër Manchester Unitedit.

Paraqitja e tij tjetër ishte në shkurt. Në total kishte 14 paraqitje në atë sezon.

Ndeshja e fundit e Isakssonit me Cityn ishte në humbjen 8:1 nga Middlesbrough në ditën e fundit të sezonit 2007-08.

Asamoah Gyan (Rennes - Sunderland, 2010)

Gyan ishte një prej fytyrave të Kupës së Botës 2010, pas paraqitjes brilante që ndihmoi Ganën të shkonte në çerekfinale, para se të kalonte te Sunderlandi.

Sulmuesi shënoi tri gola për Ganën, por humbi penalltinë kundër Uruguait dhe përfaqësuesja e tij nuk u kualifikua në gjysmëfinale.

Sunderlandi e transferoi për shumën rekorde të klubit prej 13 milionë funteve.

Gyan kaloi vetëm një sezon te Sunderlandi para se të huazohej te Al Aini në Emiratet e Bashkuara Arabe në janar të vitit 2012.

James Rodriguez (Monaco - Real Madrid, 2014)

James Rodriguez shkëlqeu në Kupën e Botës 2014 në Brazil duke e fituar “Këpucën e Artë” me gjashtë gola.

Ai u bë ylli i ardhshëm në futboll kur realizoi për Kolumbinë ndaj Uruguait. E kontrolloi topin me gjoks dhe më pas me volej shënoi për mrekulli duke e fituar çmimin “Pushkash”.

Kolumbiani kishte paraqitje të mira edhe te Monaco në sezonin e tij të parë në Francë.

Ky ishte faktor që Real Madridi të bindej e të shpenzonte 60 milionë funte për mesfushorin me tipare sulmuese.

Edhe Lojtarët që nuk luajtën asnjë minutë në Kupën e Botës Botërori 2026 Lojtarët që nuk luajtën asnjë minutë në Kupën e Botës

Rodriguezi realizoi 13 gola në 29 paraqitje në sezonin e parë. Por, nisi të lëndohej shumë dhe të binte në formë.

Rodriguezi u huazua për dy sezone te Bayern Munichu dhe një tek Evertoni. Tani luan tek Olympiakosi pas një periudhe të shkurtër në Katar tek Al-Rayyani.