Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lojtarët e Gjilanit nuk janë të infektuar, vazhdojnë izolimin në shtëpi

Gjashtë futbollistë dhe trajneri i Gjilanit të enjten janë testuar për COVID-19, ndërsa rezultati i testimit është negativ. Këtë e ka bërë të ditur klubi Gjilani përmes një komunikate.

Bëhet fjalë për lojtarët e Gjilanit nga Shqipëria, që janë izoluar pasi kanë hyrë në Kosovë. Oltion Rapa, Shkëlzen Ruçi, Gerhard Progni, Fjoart Jonuzi, Sebino Plaku, Franc Veliu dhe trajneri Gentian Mezani janë të testuarit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

“Testet e kryera sot u japin dritën e gjelbër futbollistëve dhe kryetrajnerit që pas një jave në izolim në qendrën studentore në Prishtinë, të lirohen dhe të vazhdojnë izolimin në shtëpitë e tyre. Gjithashtu pas testimeve të kryera ditën e djeshme në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi, kanë rezultuar negativ futbollistët Muhamed Useini dhe Darko Nikaç”, ka njoftuar Gjilani.

Të mërkurën rezultat pozitiv kishte një futbollist i Dritës nga Maqedonia e Veriut. Të enjten është vendosur që të testohen të gjithë lojtarët e Superligës së Kosovës në futboll.