Lojtarët e Bayern Muenchenit po përballen me kritika të ashpra për pushimet e shkurtra në Ibiza pasi humbën 3:1 nga Mainzi, me titullin e Bundesligës tashmë çështje të përfunduar.
Bayerni fitoi titullin e dhjetë rresht më 23 prill, tri xhiro para fundit. Pasoi një paraqitje e dobët në Mainz të shtunën. Fuqia bavareze ishte me fat që nuk humbi më thellë, pasi Mainzi goditi kornizën e portës katër herë në një paraqitje dominuese. Mainzi, në mes të tabelës, kishte pak më shumë se krenari për të luajtur në këtë ndeshje. Pavarësisht humbjes së rëndë, trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, i qëndroi planit të tij për t'u dhënë lojtarëve pushim të dielën dhe të hënën, gjë që shumica e shfrytëzoi duke udhëtuar në ishullin spanjoll të njohur për festa, Ibiza.
Ish-legjenda e Bayernit, Lothar Matthaus, kritikoi udhëtimin e lojtarëve pas paraqitjes së zymtë të skuadrës në Mainz.
“Nuk është dashur fare të marrin pushim dhe të shkojnë në Ibiza, veçanërisht pas një loje të tillë”, tha Matthaus të hënën për “Sky TV”. “Nëse do të isha Julian Nagelsmann do të kisha ndërmarrë veprime më të ashpra - ditët e pushimit do të ishin anuluar pas një loje të tillë”.
Nuk ka asgjë në lojë për Bayernin në ndeshjet e mbetura të Bundesligës dhe Nagelsmann kishte sinjalizuar tashmë se do të ndërronte tërësisht ekipin për t’u dhënë lojtarëve të pashfrytëzuar një shans për të luajtur në ndeshjet e mbetura kundër Mainzit, Stuttgartit dhe Wolfsburgut. Ndërsa Mainzi dhe Wolfsburgu kanë pak arsye për të luajtur, Stuttgarti po lufton për t’i shpëtuar rënies nga elita.
Skuadra e trajnerit Pellegrino Matarazzo është vetëm dy pikë përpara Arminia Bielefeldit, e cila është e parafundit. Hertha Berlini është katër pikë mbi Stuttgartin dhe ende mund të zhvendoset në zonën e rënies. Trajneri i Herthas, Felix Magath, ka vënë në dyshim profesionalizmin e lojtarëve të Bayernit pas fitimit të titullit të kampionit.
“Kampionati zgjat deri në raundin e fundit. Nuk e di pse një ekip mund të thotë: ‘Jo, ne nuk do të luajmë deri në fund të edicioni, do të përfundojmë tri javë më parë’. Kjo nuk i shërben Bundesligës dhe konkurrencës”, tha Magath, i cili ishte trajner i Bayernit dhe fitoi titullin dhe kupën e Gjermanisë në vitet 2005 dhe 2006.
Nagelsmann reagoi ndaj deklaratës së Magathit pas humbjes në Mainz duke thënë se ishte “shumë gjë e zgjuar nga ai”.
“Unë nuk mendoj se ai do të kishte luajtur me ritëm të lartë deri në fund të sezonit nëse do ta fitonte titullin më herët. Ai duhet të shikojë ndeshjen dhe më pas mund të më telefonojë. Unë gjithashtu nuk flas për paraqitjet e Herthas”.
Por Magath i dyfishoi kritikat e tij të hënën pas paraqitjes së dobët të Bayernit në Mainz dhe udhëtimit pasues të lojtarëve në Ibiza.
“Nuk do ta lejoja kurrë një gjë të tillë. Diçka e tillë nuk do të më vinte kurrë në mendje”, tha Magath. “Të shohim si do të shkojë. Është e kuptueshme të festosh titullin, por jo për tri javë”.
Drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq, mbrojti udhëtimin e lojtarëve duke thënë se ishte rënë dakord para humbjes në Mainz si një “veprim për ndërtimin e ekipit”.
Salihamixhiq tha se duhet vlerësuar eliminimi zhgënjyes i Bayernit në Ligën e Kampionëve nga Villarreali dhe jo të kritikohet për paraqitje në kampionat. Po ashtu, ai hodhi poshtë çdo dyshim në lidhje me qëndrimin e lojtarëve ndaj ndeshjeve të mbetura të Bundesligës.
“Është absolutisht e qartë se lojtarët tanë do të japin gjithçka nga vetja të dielën kundër Stuttgartit”, insistoi Salihamixhiq.