Liverpoolit, Manchester Cityt, Chelseat, Manchester Unitedit dhe Leedsit i është thënë se nuk mund t’i kenë futbollistët brazilianë për ndeshjet e këtij vikendi në Premier League, të cilët nuk kanë udhëtuar për të qenë pjesë e Përfaqësueses së Brazilit për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.
Shtëpia botërore e futbollit – FIFA, i ka njoftuar skuadrat angleze se Federata e Futbollit të Brazilit ka kërkuar që të aplikohet “kufizimi pesë ditor” për lojtarët që nuk iu përgjigjën ftesave për t’u bashkuar me përfaqësuesen braziliane. Klubet e Premier Leagues kishin marrë vendim që mos t’i lejojnë futbollistët të udhëtojnë në shtetet, të cilat ishin në “listën e kuqe” të Britanisë për shkak të protokolleve të koronavirusit. Vendimi do të hyjë në fuqi prej datës 10 deri më 14 shtator.
Ky vendim i FIFA-s, do të thotë se Liverpooli do të jetë pa tre futbollistë për ndeshjen kampionale ndaj Leedsit. Liverpoolit për këtë përballje do t’i mungojnë portieri Alisson, mesfushori Fabinho dhe sulmuesi Roberto Firmino, kurse edhe Leedsi do të jetë pa brazilianin Raphina. Në vend të Alissonit, te Liverpooli në portë pritet të jetë Caoimhin Kelleher. Tifozët e Liverpoolit e kanë quajtur këtë vendim të pakuptimtë dhe kanë thënë se mungesa e brazilianëve mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatet e klubit të tyre të zemrës. Mesfushori Fred do t’i mungojë Manchester Unitedit në dy ndeshjet që i luan në stadiumin “Old Trafford”, atë kundër Newcastle në kuadër të Premier Leagues dhe Young Boysit në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Edhe Chelseat do t’i mungojë braziliani Thiago Silva për ndeshjen kampionale me Aston Villan dhe atë kundër Zenitit në kuadër të Ligës së Kampionëve. Kampioni në fuqi i Anglisë, Manchester City, do të jetë pa portierin Ederson dhe sulmuesin Gabriel Jesus për ndeshjen ndaj Leicesterit që luhet në kampionatin anglez.
Pronari i Leedsit, Andrea Radrizanni këmbënguli se Raphinha kishte zgjedhur të mos fluturonte përsëri në Brazil kur atij i ishte dhënë mundësia nga klubi.
“Ne e ftuam atë të merrte një vendim dhe ai vendosi të mos udhëtonte. Ai tregoi respekt të madh për klubin e tij dhe Premier Leaguen duke hequr dorë nga kjo mundësi për të luajtur për vendin e tij për herë të parë. Kështu që, vendimi i FIFA-s është plotësisht i pakuptimtë”, ka thënë Radrizanni.
Edhe
Trajnerët e ekipeve angleze, të pasigurt për aktivizimin e futbollistëve nga Amerika e Jugut
Megjithatë, me problemin e Liverpoolit, Cityt, Unitedit, Chelseat e Leedsit nuk do të përballet edhe skuadra e Evertonit. Evertoni do ta ketë në dispozicion sulmuesin Richarlison, i cili nuk u grumbullua me Brazilin për kualifikimet e Botërorit të vitit të ardhshëm. Në fakt, Federata Braziliane nuk e ka përfshirë emrin e Richarlisonit në listë për shkak se skuadra e Evertonit e kishte lejuar sulmuesit të merrte pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios.
Edhe sulmuesit të Wolverhamptonit, meksikanit Raul Jimenez dhe mesfushorit të Newcastles, Miguel Almironit të Paraguait, gjithashtu i është thënë se nuk do të mund të luajnë këtë fundjavë në Premier League për shkak se nuk udhëtuan të luajnë për kualifikimet e Botërorit. Mësohet se ekipet angleze tashmë po bëjnë gati ankesën, pasi me rregulloret e FIFA-s, përfaqësueset anëtare kanë të drejtën të kërkojnë pezullimin automatik të lojtarëve për pesë ditë nëse një gjë e tillë kërkohet nga federatat e tyre. Ndryshe nga Federata e Meksikës, Paraguait dhe Kilit, të cilat e njoftuan FIFA-n që t’i ndalojë lojtarët e tyre javën e shkuar, Brazili nuk e dërgoi letrën zyrtare deri të mërkurën mbrëma. FIFA, gjithashtu, ka kontaktuar me Federatën e Futbollit të Anglisë, që është e detyruar ta zbatojë njoftimin zyrtar nga Zuerichu. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, më parë i kërkoi Qeverisë britanike që të bëjë përjashtime për lojtarët për t’iu përgjigjur ftesave të përfaqësueseve të tyre dhe i paralajmëroi se edhe në muajin tetor e nëntor mund të kenë ndalesa të tilla nëse klubet e Premier Leagues nuk iu mundësojnë futbollistëve të luajnë në kualifikimet për Kampionatin Botëror.