Në Prishtinë ka nisur edicioni i ri i Kupave Evropiane në futboll (2019\2020), edicion që ende nuk ka hyrë në fazën e vërtetë.
Prej 25 qershorit e tutje skuadra të ndryshme nga anë të ndryshme të Kontinentit të Vjetër kanë luajtur në fushën e arenës "Fadil Vokrri" në kryeqendrën kosovare. Kanë luajtur deri në fund të korrikut, jo më gjatë, shkruan sot Koha Ditore.
Shorti i ri i Kupave Evropiane është tërhequr këtë javë. Dhjetëra ndeshje të tjera evropiane janë luajtur po ashtu gjatë javës. Por pa pjesëmarrjen e skuadrave kosovare.
Paraqitja e skuadrave kosovare ishte e shkurtër dhe jo me rezultatin e pritur. Shumë njohës të futbollit vlerësojnë se klubet kosovare patën fushatë të dështuar. Fushatë për t'u harruar.
Në fakt, do të mbahet mend vetëm që një edicion i gjatë evropian nisi në Kosovë e jo në ndonjë vend tjetër të vogël, si për shembull Gjibraltar, ku kishte nisur edicioni para një viti.
Nuk është bërë ndonjë hap para i skuadrave kosovare, hap që synohej dhe që pas hedhjes së shortit vlerësohej edhe real. Ka pasur vetëm hapa prapa. Shorti ka favorizuar skuadrat kosovare, Feronikelin e Prishtinën, ndërsa vlerësimet ishin që për një vit futbolli kosovar ka ecur para. Ky avancim shpresohej "të materializohej" me hapa tutje në Evropë, hapa që nuk u bënë në drejtimin e duhur.
Ndeshja e parë gjysmëfinale e raundit paraeliminator të "Championsit" ndërmjet të Tre Pennes së San Marinos dhe Santa Colomas së Andorrës hapi edicionin e ri evropian. Ajo ndeshje u luajt më 25 qershor nga ora 15:00 në "Fadil Vokrri" para 35 shikuesve.
Atë mbrëmje Feronikeli, kampioni kosovar, me shumë mund e fat e mposhti Lincolnin e Gjibraltarit me shifrat 1:0. Kështu siguroi finalen e raundit. Në finale, prapë me shumë mund, fat e edhe shpirt luftarak që kompensoi mungesën e paraqitjes cilësore, fitoi 2:1 ndaj Santa Colomas. Goli i fitores u shënua në minutën e 87-të, por prapë paraqitja nuk ishte bindëse.
Kështu Feronikeli si debutues arriti në fazën ku Drita kishte arritur para një viti - raundin e parë kualifikues të Championsit, garës kryesore evropiane të klubeve për futbollistë, nga dy sa janë gjithsej....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)