Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Llorente, forca lëvizëse e Atletico Madridit drejt titullit të kampionit

Ka kaluar një vit qëkur mesfushori Marcos Llorente nisi shkëlqimin e tij në “Anfield Road”, që mund të jetë vendimtar në triumfin e skuadrës së Atletico Madridit këtë edicion në La Liga. Dy gola kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve ishin po aq sa Llorente kishte arritur në katër sezonet e mëparshme të karrierës së tij, me një asistim për Alvaro Moratan që konfirmoi fitoren e vështirë të Atleticos 3:2 vitin e kaluar në Angli. Dymbëdhjetë muaj më vonë, Llorente ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë tetë asistime në 26 paraqitje këtë edicion në La Liga, ku më të mirë se ai deri më tani janë vetëm Lionel Messi, Luis Suarez dhe Karim Benzema. Goli i tij i fundit ishte ai i barazimit ndaj Athletic Bilbaos të mërkurën mbrëma, ku arriti të shënojë me kokë. Megjithatë, Llorente nuk u ndal me kaq pasi asistimi i tij doli të jetë vendimtar për fitoren e Atletico Madridit. Ai asistoi për Suarezin, i cili u rrëzua në zonë dhe fitoi penallti, të cilën e realizoi vetë. Me këtë fitore, Atletico forcoi pozitën e parë në tabelë me 62 pikë, gjashtë më shumë se Barcelona që renditet e dyta dhe tetë më shumë se Real Madridi që është i treti. Llorente e dinte që paraqitja e tij fantastike kundër Liverpoolit mund të ishte një pikë kthese në karrierën e tij - ai madje e quajti qenin e tij “Anfield” për të festuar - por ai mund të mos kishte parashikuar një transformim të tillë dramatik më pas. Nëse La Liga do të përfundonte nesër, ai do të ishte një pretendent për lojtarin e vitit, pa dyshim edhe përpara Suarezit, i cili prejse u transferua tek Atletico nga Barcelona ka shënuar 18 gola dhe është treguar i rëndësishëm në këtë rrugëtim. Mirëpo nëse Suarez i ka dhënë dorën e fundit, Llorente ka qenë forca lëvizëse e Atleticos: vrapimi, energjia, vetëmohimi, shkathtësia dhe saktësia e tij kanë qenë një dëshmi e lojës kolektive të ekipit të drejtuar nga trajneri Diego Simeone.

“Për një vit Marcosi është zhvilluar shumë pasi ka punuar shumë në stërvitje dhe asnjëherë nuk është ndalur”, ka thënë Simeone. “Ai arriti në klub, ai nuk ishte në ekip, madje as në stol, por ai vazhdoi stërvitjen dhe bëri përpjekjet për të arritur atje ku ai donte të arrinte dhe ai e ka arritur atë. Mund të them se Marcosi është forca lëvizëse e ekipit tonë këtë edicion”.

Llorente tashmë kishte luftuar për vite me radhë në Real Madrid, ku iu bashkua akademisë së klubit në moshën 13-vjeçare dhe ëndërronte të luante për ekipin e parë, por aty munguan mundësitë dhe besimi ndaj tij. Ai kaloi një vit në huazim tek Alavesi dhe lulëzoi, por pasi u kthye gjeti një sezon të trazuar për Real Madridin që bëri shumë pak për t’ia dhënë rastin që të dëshmohet. Mirëpo kur Atletico Madridi ofroi një rrugëdalje, ai e mori atë derisa Real Madridi në këmbim përfitoi 40 milionë euro. Në fillim, Alonso dukej më shumë si një mesfushor defensiv që luftonte për të ndërprerë aksionet e kundërshtarëve, por dy vjet më vonë, tek Atletico mburren që kanë në radhët e veta njërin prej mesfushorëve me tipare sulmuese më të rrezikshëm në Evropë. Dhe, paraqitjet e mira këtë edicion tek Atletico i garantojnë Alonsos 26-vjeçar vendin e titullarit te Përfaqësuesja e Spanjës, që këtë vit do të paraqitet në Kampionatin Evropian.

“Si trajner, titujt janë të mrekullueshëm, sepse ju mbushin me ngazëllim dhe lavdi, por kur punoni me një futbollist dhe e shihni të rritet, kjo të frymëzon më shumë dhe të jep gëzim e entuziazëm për të vazhduar punën”, tha Simeone.

Vetë Llorente, i cili ka kontratë me Atletico Madridin deri në vitin 2024 është optimist se këtë edicion mund ta fitojë titullin e kampionit në La Liga.

“PO kalojmë një formë të mirë dhe shpresoj që këtë pozitë ta mbajmë deri në fund të edicionit, pasi do të ishte diçka fantastike”, është shprehur Llorente. “Jam i lumtur me paraqitjet e mia, por kjo është detyra ime. Ta ndihmoj ekipin të fitojë”.