Sulmuesi nga Gana, Abedel Latif Amadou është përforcimi më i ri i skuadrës së Llapit. Ekipi i Superligës së Kosovës, e ka prezantuar 28-vjeçarin të martën në Antalia, ku aktualisht po e kryen fazën përgatitore në prag të stinorit pranverore.
Latif ka firmosur kontratë për gjashtë muaj me Llapin, me mundësi të vazhdimit edhe për edicionin e ardhshëm.
Në fakt, ai ka firmosur me Llapin muaj më parë dhe pas kompletimit të dokumentacionit i është bashkuar ekipit në stërvitje. Latif gjatë karrierës ka luajtur te skuadrat si Berekun Chelsea FC e Asante Kotoko SC nga Gana, pastaj te Dynamo Bresti në Bjellorusi, Teuta e Durrësit, SC Kfar Qasem (Izrael), Al-Khaalej e Al-Ansar (Arabi Saudire).
Me fanellën e Teutës, Latif kishte shënuar 19 gola në 66 paraqitje zyrtare. “Sulmuesi shtatlartë tashmë është vënë nën urdhrat e trajnerit Tahir Batatina dhe do të jetë forcë shtesë për ekipin tonë në pjesën pranverore të kampionatit dhe ndeshjet e Kupës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Llapit.