Starti i dobët i skuadrës së Llapit këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll e ka befasuar pa masë edhe trajnerin Tahir Batatina. Batatina pranon se nuk ka pritur e as që ka paramenduar që ekipi i tij, bazuar në cilësinë që ka, nuk do ta arkëtojë asnjë pikë pas katër xhirove të sezonit 2020/21.
Llapi ishte ndër skuadrat më aktive gjatë afatit kalimtar të verës duke transferuar hiç më pak se 15 futbollistë dhe trajneri Batatina para fillimit të garave pati paralajmëruar se ekipi i tij do të luftojë për trofe dhe një vend në garat evropiane. Megjithatë humbja e fundit në shtëpi nga Ballkani (3:1) ishte e treta për Llapin në po aq ndeshje të luajtura deri më tash.
Krahas Ballkanit, Llapin e kanë mposhtur edhe Trepça ’89 (1:0) e Gjilani (1:0) duke e lënë ekipin nga Podujeva në pozitën e parafundit në tabelë. Llapi së bashku me Besën janë skuadrat e vetme që nuk e kanë asnjë pikë ndonëse ekipi pejan ka një humbje më shumë se ai llapjan – katër, transmeton KOHA.
“Natyrisht që nuk e kam pritur një start të tillë, jo vetëm unë, por askush që e ka parasysh cilësinë në ekipin tonë. Megjithatë nganjëherë kështu e ka futbolli dhe duhet të pajtohesh edhe me një fillim të tillë”, ka pranuar Batatina.
Sipas tij, në këtë start ka ndikuar shumë edhe fakti që ekipi ende nuk është komponuar dhe i nevojitet edhe pak kohë për një gjë të tillë. Batatina ka thënë se edhe përgatitja fizike nuk është në nivel përkundër që në fazën përgatitore kishte angazhuar trajner kondicional. Ai ka vlerësuar se po mungon finalizimi para portës, duke pasur parasysh se Llapi ka shënuar vetëm një gol në tri ndeshje.
“Duket se ekipi nuk është fizikisht i përgatitur mirë, pra nuk është në nivel edhe pse kishim angazhuar trajner kondicional enkas për këtë. Mirëpo ne po punojmë dhe po përpiqemi që sa më shpejt të marrim veten. Gjithashtu nevojitet edhe pak kohë që të komponohemi dhe të përmirësojmë finalizimin që po shihet se po na mungon”, është shprehur Batatina, që ka thënë se edhe arbitrat kanë pak ndikim në këtë start të dobët. “Kundër Ballkanit e kemi merituar fitoren, por gjyqtari ndikoi direkt në rezultat”.