KF Llapi po vazhdon me përgatitjet për stinorin pranveror. Ekipi drejtuar nga Djengis Redjepi është duke u stërvitur në ambiente të mbyllura deri sa me datën 21 do të udhëtojë për në Shqipëri për të vazhduar fazën e dytë përgatitore.
Trajneri Redjepi është tejet i kënaqur me kushtet të cilat iu kanë ofruar nga kryesia duke ia lehtësuar atij punën. Mirëpo pohon se ende ka punë të arrihet ajo të cilën ai e dëshiron.
“Kemi nisur që nga data 5 janari me fazën përgatitore, deri në këto momente jemi duke punuar në mënyrën më të mirë, edhe pse ditët e para ishte koha edhe më e mirë për t’u punuar, por qe tre-katër ditë për shkak të borës jemi duke punuar në salla të mbyllura. Deri në këto momente jam shumë i kënaqur me futbollistët, nga angazhimi i tyre, nga disiplina dhe mendoj se deri në përfundim të sezonit do të jem i kënaqur nga performanca dhe dhënia e maksimumit të futbollistëve”, ka thënë ai. “Normal klubi i futbollit Llapi ka një ekip shumë cilësor, por edhe prurjet e reja janë lojtarë shumë cilësorë, janë lojtarë të rinj me perspektivë, por edhe kemi lojtarë që janë me përvojë, mendoj që edhe përforcimet do e ngritin edhe më tepër cilësinë e lojës te Llapi edhe pse grupi i cili ka qenë edhe më herët në këtë klub, është një grup shumë i shëndoshë dhe mendoj që vetëm këto prurjet e reja do e ngritin në çdo aspekt performancën e ekipit në përgjithësi”.
Kapiteni i skuadrës Lum Namani, është tejet i lumtur me punën që është duke u zhvilluar në stërvitjet e skuadrës së Llapit, gjithmonë duke ju falënderuar trajnerit dhe stafit të tij, të cilët sipas kapitenit janë duke bërë një punë të palodhshme dhe beson që frytet e kësaj pune do të jenë suksese në fund të kampionatit.
“Po kemi filluar që 10 ditë, stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë dhe jemi të motivuar maksimalisht për këtë sezon. Po jemi të kënaqur, janë bërë edhe disa përforcime dhe jemi shumë të kënaqur. Trajneri është shumë i mirë dhe motivin e ka të lartë dhe na motivon edhe neve si lojtarë shumë”, pohoi Namani.
Pesë pikë larg vendit të parë, skuadra llapjane tanimë nuk është duke menduar vetëm se si të shpallet kampion në fund, mirëpo ata se bashku si një grup do të fokusohen që në çdo ndeshje të rrisin nivelin e lojës së tyre dhe besojnë që sukseset nuk do të mungojnë .
Këtë e konfirmoi edhe lojtari me përvojë tek skuadra llapjane Behar Maliqi duke pohuar se lojtarët janë tejet të bashkuar dhe atmosfera në klub është më e mira ndonjëherë.
“Po janë duke shkuar shumë mirë, dhe atmosfera është shumë e mirë në ekip kështu që vullneti për punë nuk mungon dhe jemi duke punuar shumë mirë gjatë kësaj faze, pak koha por këto ditë që ka pasur shumë borë po ushtrojmë në ambient të mbyllur kështu që stërvitjet nuk po ndalen dhe po shkojnë shumë mirë. Po jemi të kënaqur shumë sepse ka shumë lojtarë cilësorë, lojtarë me bagazh, lojtarë të cilët janë të njohur në futbollin kosovar, janë ardhur edhe disa përforcime besoj që ekipa është shumë e mirë. Më e mira është që na u janë rikthyer nga lëndimet Ahmet Jonnuzi , Mentor Zhdrella edhe portieri kështu që jemi më të kompletuar”, u shpreh Maliqi.
Ani pse ka pasur disa transferime tek skuadra e Llapit, drejtuesit e skuadrës nuk do të ndalen me kaq dhe do të vazhdojnë të sjellin ende lojtarë, por lojtarë kryesisht të rinj por të talentuar, në mënyrë që të shtojnë edhe më shumë konkurrencën brenda ekipit.
Skuadra llapjane është eliminuar nga Kupa e Kosovës dhe e gjithë vëmendja e tyre gjatë stinorit pranveror do të jetë Superliga, duke tentuar ta fitojë atë pse jo dhe të sigurojë një vend për në garat evropiane.