Mesfushori Besar Musolli është përforcimi më i ri i Llapit për edicionin 2023/24, i cili nis këtë vikend.
Musolli është prezantuar të martën te Llapi, ekip me të cilin ka firmosur kontratë njëvjeçare. Ai i është bashkuar Llapit pasi më herët ka shkëputur kontratën me Gjilanin.
Musolli ishte pjesë e Gjilanit prej vitit 2020, ndërsa edicionin e shkuar ka bartur edhe shiritin e kapitenit. Ai u largua nga Gjilani për shkak të situatës së rëndë financiare të klubit, e cila ka detyruar edhe shumë lojtarë të tjerë të ndërmarrin një veprim të tillë. Musolli ka bërë karrierë edhe në Shqipëri, ku për gati një dekadë ka qenë pjesë e skuadrës së Kukësit, ndërsa në Kosoë ka luajtur për Hysin. 34-vjeçari po shihet si përforcim i madh te Llapi në prag të edicionit të ri. Ndeshjen e parë të edicionit 2023/24, Llapi e luan të dielën në udhëtim te Drita.