Liverpooli e Tottenhami e kanë mbyllur me barazim 1:1 derbin e xhiros së 36-të në Premier League. Ky rezultati nuk i shkon për shtati asnjërës prej skuadrave. Liverpoolit i prish punë për titull, ndërsa Tottenhamit në garën për top-katërsh.
Skuadra e Jurgen Klopp ishte dominuese në këtë sfidë, por 45 minutëshi i parë përfundoi pa gola.
Në pjesën e dytë, me një aksion dinak siç e kanë zakon skuadrat që drejtohen nga Antonio Conte, Spurs kaloi në epërsi me Son Heung-min (56’). Për jugkoreanin ky ishte goli i 20-të këtë sezon në Premier League. I vetmi që ka një shifër të tillë pa shënuar asnjëherë nga pika e bardhë.
Por Liverpooli shtoi forcat sulmuese dhe arriti të barazonte rezultatin me Lucas Diaz (74’), pasi goditja e tij u devijua nga Ben Davies.
Deri në fund, vendasit u përpoqën të shënonin, por nuk ia dolën në mbrojtjen e ngjeshur të mysafirëve.
Liverpooli tash ka 83 pikë në vendin e parë, aq sa ka edhe City në të dytin, por ka një ndeshje më pak që e zhvillon të dielën ndaj Newcastles. Tottenhami ndërkohë është i pesti me 62 pikë, një më pak se Arsenali në vendin e katërt që po ashtu ka një ndeshje më pak.