Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Liverpooli e pret Realin në Angli, Dortmundi luan ndaj Cityt

Liverpooli do të jetë nikoqir i Real Madridit në ndeshjen kthyese të çerekfinales në Ligën e Kampionëve. Sonte në orën 21:00, “të kuqtë” e drejtuar nga Jurgen Kloppi do të mundohen që ta shkrijnë disavantazhin nga ndeshja e parë.

Takimi i zhvilluar në Madrid, i takoi Realit që fitoi me rezultatin 3:1. Në këtë ndeshje, Liverpooli vjen pas fitores ndaj Aston Villas 2:1. Ishte fitorja e parë në “Anfield” që prej 16 dhjetorit.

“Kur je duke humbur 3:1, duket sikur tashmë je jashtë garës. Do të thotë se ne nuk kemi çfarë të humbim. Do të provojmë, dhe kjo është puna jonë. Nuk mund të garantojmë rikthim, sidomos pa tifozë. Por, ne do ta krijojmë atmosferën tonë sërish”, ka thënë Klopp para ndeshjes.

Skuadra madrilene, sipas trajnerit francez, Zinedine Zidane, do ta kërkojë edhe një tjetër fitore në Angli.

“Kemi ardhur për fitore dhe këtë do ta provojmë. Kemi folur se si kemi harxhuar shumë energji fizikisht, por jemi mësuar me këtë. Do të luftojmë në të dyja frontet. Jemi gjallë në dy gara dhe do t’u shkojmë deri në fund”, ka theksuar Zidane.

Edhe City – Liverpool, derbi i madh evropian Futboll City – Liverpool, derbi i madh evropian

Do të jetë vizita e tretë e Real Madridit në “Anfield” për të luajtur kundër Liverpoolit në gara Evropiane. Humbi 4:0 në mars të vitit 2009, dhe fitoi 3:0 në tetor të vitit 2014, në Ligën e Kampionëve. Në duelin tjetër të mbrëmjes që zhvillohet në orën 21:00, Borussia Dortmundi e pret Manchester Cityn.

Trajneri Pep Guardiola ka thënë se do shihet si dështim për të, nëse Manchester City nuk e fiton Ligën e Kampionëve në kohën sa ai do të jetë trajner i klubit. City e ka avantazhin 2:1 nga dueli i zhvilluar në Angli.