Mijëra tifozë të Liverpoolit kanë dalë në rrugët e qytetit për të pritur skuadrën dhe për të festuar në fund të edicionit në të cilin u fituan dy kupa.
Të kuqtë fituan Kupën FA dhe Kupën e Ligës më herët këtë edicion, ndërsa u paraqitën në parakalim një ditë pasi humbën finalen e Ligës së Kampionëve nga Real Madridi në Paris.
Futbollistet e Liverpoolit, po ashtu, bënë xhiro me autobus të hapur përreth qytetit, pasi kanë fituar një kupë në muajin prill.
Kryetarja e qytetit të Liverpoolit, Joanne Anderson, ka thënë se ekipet “na kanë bërë krenarë”.
Trent Alxander-Arnold ka theksuar se “do të ishte e vështirë për të parashikuar se si do të shkonte kjo, por se ka qenë e jashtëzakonshme”.
Parakalimi, që filloi në orët e pasdites të dielën, përshkoi nëntë milje në rrugët e qytetit. Lojtarët kaluan në shumë prej pikave referuese të Liverpoolit, ndërsa u ndalën në qendër të qytetit.
DJ i njohur dhe fansi i Liverpoolit, Calvin Harris, iu bashkua skuadrës në autobus dhe u kujdes për atmosferën. Duke folur për masën e madhe të njerëzve, trajneri Juergen Klpp ka thënë se “është krenar për lojtarët, por është krenar edhe për tifozët”.
“Kemi humbur finalen e Ligës së Kampionëve një natë më parë dhe njerëzit kanë ardhur këtu në disponim. Është absolutisht e jashtëzakonshme. Ky është klubi më i mirë në botë. Nuk brengosem se çka mendojnë njerëzit”, ka theksuar Klopp.
Trajneri gjerman ka shtuar se kishte shpresuar se skuadra do të përjetonte diçka të tillë, diçka të pabesueshme.
“Po, ne kemi humbur dy trofetë e fundit, por këta njerëz nuk harrojnë. Ata e dinë saktësisht se sa janë angazhuar djemtë. Është një nxitje për gjithë atë që do të vijë”.
Hayley, një tifoze e Liverpoolit, i ka thënë BBC-së se i gjithë qyteti është i ngjyrosur me të kuqe.
“Ne kemi qenë në secilën paradë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka thënë ajo.
Një tifoz tjetër, Martin, ka thënë se ishte edicioni më i mirë për klubin, me gjithë humbjen e së shtunës në Paris dhe mbetjen pa titull të Premier Leagues.
Ai ka shtuar se me parakalim festojnë të gjitha sukseset nga viti 2020 e tutje pasi masat kufizuese për shkak të pandemisë kanë pamundësuar kremten pas titullit të parë të Anglisë në 30 vjet.
“Duhet të shohim sa kemi fituar më shumë se çka kemi humbur në fund”, ka shtuar ai.
Kapiteni i skuadrës, Jordan Henderson, ka shtuar se gjëja e fundit që mund të thonë është të falënderojnë tifozët për atë që i kanë dhënë skuadrës gjatë gjithë edicionit.
“Nuk kemi qenë të sigurt se si do të jetë. Ne të gjithë ishim paksa në dyshim. Por kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë.
Tym me ngjyrë të kuqe u lëshua në shumë pjesë të qytetit, ndërkohë që parakalimi po i afrohej fundit.