Lis Shoshi assesi ta kthejë karrierën në rrugën e duhur. Njëri prej basketbollistëve më të mirë në vend ka pësuar lëndimin e tretë serioz brenda një kohe të shkurtër. Lëndimet kanë frenuar karrierën e shtatlartit, që vlerësohet me potencial të madh.
Fillimisht, basketbollisti pejan kishte pësuar lëndim të rëndë të krahut, në verën e vitit 2019. Atë lëndim e pësoi derisa ishte i grumbulluar me Kosovën dhe kur kishte marrëveshje me një skuadër të madhe të Bundesligës gjermane. Kështu edicioni që është dashur të jetë i shpërthimit në Evropë për Shoshin, shkoi huq.
Pasi sanoi lëndimin e krahut, u lëndua në shpinë dhe në verën e vitit 2020, i ishte nënshtruar një operimi tjetër. Në mars të këtij viti firmosi me Pejën dhe luajti në pjesën përfundimtare të edicionit të kaluar dhe në fillim të edicionit aktual. Në mes të shtatorit u nda me Pejën për të pranuar ofertën e skuadrës izraelite, Maccabi Rishin Le Zion. Luajti një ndeshje për Superkupë në Izrael dhe në një tjetër ndeshje kontrolluese pësoi lëndim të gjurit. Lisi tashmë është kthyer në Pejë ku po e vazhdon rikuperimin.
“Jam lënduar sërish. Kam operuar gjurin, ligamentin kryqëzor. E kam luajtur një ndeshje të Superkupës, ndërsa lëndimi ndodhi në një lojë përgatitore”, ka thënë Shoshi për KOHËN. Ai thotë se është pak e pashpjegueshme që pësoi lëndimi e tretë serioz brenda një kohe të shkurtër.
“Pushimi do të jetë i gjatë. Nëntë muaj e më pas edhe një kohë deri të kthehem në formën më të mirë”, ka theksuar basketbollisti i gjatë 211 centimetra.
27-vjeçari ishte larguar në moshë të re nga Peja për të zhvilluar karrierën në SHBA. Ishte rritur si lojtar te Howard College dhe Little Rock, ku vlerësohej lart. Kthimin në Evropë, përkatësisht fillimin e karrierës profesionale e bëri te Sigal Prishtina, në edicionin 2017/18. Në pjesën e dytë të atij edicioni luajti në Lituani te skuadra Pieno Zhvaigzhdes. Më pas edicionin 2018/19 e kaloi te Maccabi Ashdod në Izrael. Pati edicion të suksesshëm dhe siguroi kalimin në Bundesligë. Por lëndimi ia prishi planet.
Edhe edicioni 2021/2022 do të jetë i humbur për Lisin, për shkak të lëndimit.
“Jam kthyer në Kosovë për rehabilitim. Disa gjëra janë më të lehta këtu, pasi në Izrael të kryej rehabilitimin i vetëm, ishte e mundimshme. Klubi ka respektuar kontratën, përkundër lëndimit. Në Izrael lojtarët janë të siguruar, në këtë aspekt janë shumë profesionistë në atë vend. Lëndimi ka ndodhur gjatë një kërcimi. Kam humbur balancën dhe u lëndova. Kontakti me lojtarin kundërshtar ishte fare i vogël. Por, ja që ishte moment i keq”, ka treguar Shoshi.
Ai i ka munguar Kosovës për kohë të gjatë. Dhe mungesa e tij është vërejtur goxha shumë në lojën e “Dardanëve” të koshit.