Sport

Dy lëndimet e rënda të Lis Shoshit dhe humbja e dy edicioneve

Lis Shoshi ishte lënduar në korrik të vitit 2019. Ai humbi gjithë kampionatin e kaluar për lëndim të krahut. Kur është dashur të kthehet lëndoi edhe shpinën dhe një operim tjetër ishte obligativ. Ai nuk ka luajtur as në edicionin aktual. Shoshi pranon se faza e gjatë e rikuperimit ishte sfiduese. Por ai shpreson të kthehet shpejt dhe të vazhdojë rrugën që i mbeti në gjysmë

Prishtinë, 29 janar – Në mes të korrikut të vitit 2019, Lis Shoshi kishte bërë hapin e madh në karrierë. Njëri prej basketbollistëve më të mirë të Kosovës kishte arritur marrëveshje me skuadrën e njohur gjermane, s.Oliver Wuerzburg. Ndërkohë Shoshi ishte bashkuar me Kosovën për disa ndeshje miqësore e kualifikuese. Në njërën prej ndeshjeve nuk e përcolli fati. Ai pësoi lëndim të krahut.

Bëhet fjalë për ndeshjen miqësore ndaj Shqipërisë, të luajtur më 28 korrik 2019. Shtatlarti nuk ka luajtur më prej atëherë. Atij në fakt i janë lidhur dy lëndime të rënda dhe me shumë mundësi edicioni aktual do të jetë i dyti i humbur për të.

26-vjeçari nuk ka luajtur asnjë ndeshje në edicionin 2019/2020. Nuk ka ndeshje të luajtura as në edicionin aktual 2020/2021. Ai është në fazën e fundit të rikuperimit. Kjo jep pak gjasa që ai të luajë gjatë këtij edicioni, që zgjat edhe pak muaj. Kështu dy lëndimet serioze të Shoshit mund të kenë “çmimin” e dy edicioneve të humbura e që është dashur të jenë të shpërthimit për të.

Para lëndimit të krahut të djathtë, basketbollisti pejan, i gjatë 211 centimetra, ishte në ngritje të madhe në karrierë. Pas zhvillimit te Howard College dhe Little Rock në SHBA (2013 – 2017), Shoshi kishte nisur karrierën profesionale te Sigal Prishtina. Më pas kishte luajtur në Lituani te Pieno Zhvaigzhdes. Ndërsa edicionin 2018/19 e kaloi te Maccabi Ashdod në Izrael. Pas paraqitjeve të mira erdhi marrëveshja me skuadrën gjermane. Por dy javë para se të grumbullohej me skuadrën gjermane, dhe ende pa kaluar testet mjekësore, Shoshi pësoi lëndimin e krahut. Marrëveshja me Wuerzburg më pas nuk u finalizua.

Ai fillimisht iu nënshtrua një operimi në krah e në gusht të vitit të kaluar kishte një intervenim kirurgjik edhe në shpinë.

“Jam në fazën e fundit të rikuperimit”, ka thënë Shoshi për KOHËN. Ai është mërzitur duke folur për lëndimet, por tregon se me përkrahjen e familjes ia ka dalë të përballojë periudhën e vështirë.

“Lëndimi i parë ishte në kohë shumë të keqe. Ndodhi vetëm dy javë para ditës kur është dashur të paraqitem në klubin gjerman. Dihet që ka qenë një hap i madh në karrierë, por ndodhi ajo që ndodhi. Fat i keq, por sporti i ka këto gjëra”, ka shtuar Shoshi.

Mungesa e tij është vërejtur goxha shumë në lojërat e Kosovës që nga gushti 2019. Ai është prej pak lojtarëve shtatgjatë që shfaq stabilitet dhe vlera te Kosova. Në përfaqësuese ka mungesë të theksuar të konkurrencës dhe mungesa e Shoshit është ndier. Ai është prej bartësve të lojës.

“Pas lëndimit të parë, faza e rikuperimit ka shkuar shumë mirë dhe çdo gjë zhvillohej sipas planit. Për fazën e fundit të rikuperimit qëndrova në Texas të SHBA-së. E mora dritën e gjelbër në fillim të marsit dhe isha duke shqyrtuar interesimin e skuadrave. Rreth një javë para se të nënshkruaj me një klub, ndodhi mbyllja dhe pezullimi i të gjitha garave. Kështu kthimi im në parket u shty”, ka treguar Shoshi.

Ai ka pritur të firmoste për edicionin aktual 2020/2021, por gjendja shëndetësore iu keqësua.

“Operimi tjetër ndodhi në gusht të vitit të kaluar. Kisha një lëndim në shpinë, që e mora në fillim të përgatitjeve për sezonin e ri. Gjendja u përkeqësua në gusht, kur edhe u vendos që duhet të kem një ndërhyrje kirurgjike. Edhe ndërhyrja e dytë ndodhi në afatin e interesimit të ekipeve të ndryshme. Ishte vërtet sfidë e madhe mentale dhe fizike, por shumë më tepër mentale që të kthehem në pikën zero dhe të filloj me rehabilitim. Por familja më ka ndihmuar shumë. Ka qenë pranë meje, më ka përkrahur pa rezervë. Pa familje nuk do të mund ta kaloja këtë sfidë”, ka theksuar basketbollisti pejan.

Ai shpreson që së shpejti t’i lërë problemet prapa.

“Jam në fazën e fundit që t’i kaloj të gjitha barrierat fizike e mentale, që të marr dritën e gjelbër për të luajtur dhe besoj edhe që t’i lë këto fatkeqësi prapa”.

Shoshi një kohë e kishte vështirë edhe të shikonte ndeshje basketbolli në televizion.

“Ka qenë shumë vështirë pasi më ndodhën dy lëndime jo të lehta, njëri pas tjetrit. Por këto janë sfida që sportistët duhet t’i kalojnë. Ka qenë e vështirë që pas lëndimeve të shikoj basketboll në televizion. I kam shmangur për një kohë të gjitha lojërat, pasi nuk mund të pajtohesha që nuk po mund të luaj për një kohë të gjatë. Por familja ka bërë çdo gjë që ka qenë e mundur për mua. Përkrahja dhe motivimi i familjarëve ka qenë shtytja kryesore për mua që të kaloj këta 18 muaj goxha të gjatë”, ka theksuar Shoshi.

Kosova muajin tjetër i luan ndeshjet e radhës, shumë të rëndësishme. Por do të jetë pa shërbimet e njërit prej lojtarëve kryesorë të saj.

Image