Kampioni në fuqi, Lille, pjesë e të cilit është Edon Zhegrova dhe Clermonti ku luan Elbasan Rashani, do të luajnë përballë njëri-tjetrit të dielën në orën 17:05 në kuadër të xhiros së 27-të në futbollin francez.
Lille synon që ta vazhdojë formën dhe serinë pozitive, pasi nuk di për humbje në tri ndeshjet e fundit.
Lille është në kërkim të një pozite që dërgon në garat evropiane për sezonin tjetër. Sivjet është në Ligën e Kampionëve, por e humbi ndeshjen e parë të 1/8 së finales nga Chelsea, 2:0, në Londër.
Ndeshja kthyese do të luhet më 16 mars.
Ndryshe nga Lille, Clermonti synon mbetjen në elitë. Elbasan Rashani në xhiron e kaluar shënoi golin e gjashtë të kampionatit, dhe i dhuroi një pikë të rëndësishme skuadrës së tij.
Në ndeshjen e parë të këtij kampionati, Clermonti fitoi 1:0 kundër Lillet në muajin tetor.
Në Francë, kampionati thuajse është i përfunduar.
Paris Saint-Germaini është lider me 62 pikë. Përcjellësi i parë është Marseille që ka 47 pikë.
PSG-ja do të luajë në udhëtim te Nice të shtunën në orën 21:00.