Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Liga e Piques ka shndërruar sportin në spektakël, rikthen Ronaldinhon

Një lojtar i maskuar i La Ligës, një kartë speciale për të përjashtuar një kundërshtar, presidentët e klubeve duke gjuajtur penallti dhe vetë Gerard Pique që mendon për një rregull të ri të votuar nga shikuesit.

Diçka emocionuese po ndodh gjithmonë në “Kings League” të ish-mbrojtësit të Barcelonës, një garë që ai krijoi duke pushtuar internetin. Dy ditë pasi luajti ndeshjen e fundit profesionale në nëntor, Pique dhe kompania e tij “Kosmos” themeluan këtë ligë, e cila filloi në janar.

Diku mes futbollit, e-sports dhe emisioneve televizive, 12 figura të njohura nga sporti - përfshirë Sergio Agueron e Iker Casillasin - dhe personazhe të famshme të internetit veprojnë si presidentë të skuadrave të tyre të futbollit me shtatë lojtarë. Liga po rezulton të jetë e popullarizuar, me një mesatare prej gati 500,000 shikuesish në ditë në internet, sipas organizatorëve, ndërsa 50,000 bileta janë shitur për katër finalet që do të luhen në “Camp Nou” më 26 mars.

“Ideja lindi nga një reflektim se ekziston një pjesë e një brezi të ri që e ka gjithnjë e më të vështirë të durojë 90 minuta duke parë një ndeshje futbolli profesionist”, shpjegoi menaxheri i përgjithshëm i garës, Oriol Querol.

Për të mbajtur vëmendjen e të rinjve, “Kings League” ofron transmetim prej shtatë orësh çdo të diel nga një hangar në zonën e portit të Barcelonës, me një stendë të vogël për të ftuarit për ta parë drejtpërdrejt, por e qasshme për botën e gjerë në platformën “video live”. Në ndeshjet 40-minutëshe, barazimet janë të ndaluara, çdo gol festohet me mjete piroteknike dhe tifozët e kanë parë Agueron të kthehet në futboll, duke u shfaqur fillimisht i veshur si “Joker” dhe duke tërhequr shikueshmëri prej 1.37 milion. Ish-portieri i Real Madridit, Casillas priti një penallti dhe gjyshi i Piques nxori një karton, i cili vendosi që një ndeshje do të duhej të luhej me vetëm nga një lojtar në secilën skuadër deri në pjesën e dytë, mes momenteve të tjera argëtuese. Kulmi i shikueshmërisë mund të tejkalohet këtë fundjavë, me Ronaldinhon e shpallur si lojtar i ftuar për ekipin Porcinos të transmetuesit Ibai Llanos.

Edhe Liga e Mbretërve – përpjekja e Piques për ta rrezikuar futbollin spanjoll Sport Liga e Mbretërve – përpjekja e Piques për ta rrezikuar futbollin spanjoll

“Ajo që duam është që gjërat të ndodhin gjatë gjithë kohës”, shtoi Querol. “Dhe, dëshmia është se aktivitetet zgjasin shtatë orë dhe ka një bazë mjaft të qëndrueshme audience, sepse ne nuk u japim atyre pushim”.

Rreth 20 persona mbushin sallën e produksionit, duke punuar në transmetim, duke përpunuar sinjalin nga 17 kamerat rreth fushës, në gjoksin e gjyqtarit, si dhe reagimet e presidentëve apo bisedave të ekipit të trajnerëve. Madje, edhe organizatorët janë habitur se sa mirë është pritur liga.

“Mendova se audienca do ta pranonte ligën, por është e vërtetë që i ka tejkaluar pritshmëritë e të gjithëve”, tha Llanos, president i ekipit që ka siguruar Ronaldinhon.

Një sipërmarrës, Llanos, filloi të komentonte videolojërat dhe tani është një nga transmetuesit më me ndikim në Spanjë, i ndjekur nga një komunitet prej 12.6 milionë përdoruesish.

Bashkëpunëtor me Piquen në disa projekte, Llanos sheh shumë potencial në “Kings League”, që së shpejti do të nisë edicionin për femra dhe ka planifikuar një edicion për fëmijë pasi po mendon të zgjerohet edhe në vende të tjera. Rreth 11,000 lojtarë aplikuan për draftin e parë, nga të cilët 120 u zgjodhën, duke formuar skuadrat së bashku me lojtarë të tjerë të profilit më të lartë të thirrur nga presidentët.

“Njerëzit që mundën të luanin në ligat e mëdha vijnë së bashku me të rinjtë që japin gjithçka”, shpjegon ish-lojtari i Espanyol, Joan Verdu.

Gara është një projekt prioritar për kompaninë “Kosmos”, pas përfundimit të papritur të kontratës për organizimin e turneut të tenisit “Davis Cup”. Liga e Mbretërve bazohet në idetë që gjenden më shpesh në sportet amerikane, të tilla si draftet, plejofi dhe shfaqjet e pjesës së parë.

“Pique ka qenë shumë i zoti në krijimin e kësaj përvoje të re këtu, e cila është unike por lidhet me të tjerët në nivel ndërkombëtar”, tha Xavier Ramon, profesor i komunikimit në Universitetin e Barcelonës.

Edhe Fillon Liga e Kampionëve, spektakli i garantuar Futboll Fillon Liga e Kampionëve, spektakli i garantuar

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, e quajti ligën “cirk”, por pavarësisht suksesit fillestar, “Kings League” nuk dëshiron të kërcënojë modelin klasik të futbollit.

“Nuk e kemi menduar kurrë si diçka që synon të konkurrojë me futbollin tradicional, një sport që është më i madhi në botë”, thotë Querol. “Ajo që kemi ardhur për të bërë është të shtojmë diçka, jo të konkurrojmë”.