Liga Ballkanike në basketboll do të ketë një fund të pazakontë të edicionit. Pasi Rahoveci është tërhequr nga garat javën e kaluar, drejtuesit e ligës kanë vendosur që mos të vazhdojnë fare me fazën e tretë të garave, që kishte nisur pak kohë më parë.
Në fazën e tretë të garave janë luajtur vetëm tri ndeshje. Por pas tërheqjes së Rahovecit, liga edhe ashtu e zbehtë, mbeti me vetëm katër skuadra. Liga Ballkanike deri të hënën mbrëma nuk njoftoi se si do të vazhdojë gara e mbetur në gjysmë.
Katër skuadrat e mbetura do të luajnë në tuneun final (Final Four) për të nxjerrë kampionin e kësaj lige.
“Kampioni për edicionin 2020 do të vendoset në ‘Final Four’ që do të zhvillohet në Pejë më 31 mars dhe 1 prill”, ka njoftuar Liga Ballkanike.
Në fakt fillimisht do të zhvillohet një ndeshje në mes të Vllaznisë dhe Ibrit të Rozhajës për të vendosur se cila skuadër do të renditet e treta për turne final. Aktualisht këto dy skuadra kanë bilanc të njëjtë prej katër fitore e gjashtë humbje. Peja, si e dyta në tabelë, do të luajë në gjysmëfinale me njërën prej këtyre dy skuadrave. Academic Bultex (Bullgari) është në vend të parë dhe në gjysmëfinale do të luajë me të katërtin.
Edhe
Liga Ballkanike përjashton edhe Bashkimin, mbetet me katër ekipe
Turneu final do të luhet vetëm nëse nuk ka ndonjë zhvillim tjetër lidhur me përhapjen e koronavirusit.
Liga Ballkanike po shkon drejt fundit. Këtë edicion nuk janë paraqitur më shumë se pesë skuadra, ndërsa edhe interesimi i shikuesve ishte i vogël për ndeshjet e kësaj lige. Në Federatën e Basketbollit të Kosovës vlerësojnë se Ligën Ballkanike në vitet e fundit e kanë mbajtur gjallë skuadrat kosovare.