Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lidhjet po e ndajnë Federatën

Në Federatën më të madhe sportive në vend, pakënaqësitë e tensioni i nisur muaj më parë, po vazhdojnë të rriten.

Në dy prej tri kuvendeve zgjedhore të mbajtura deri më tash nëpër Lidhjet Rajonale të Futbollit (LRF), nga shtatë sa e përbëjnë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), pati pakënaqësi, akuza për parregullsi dhe së fundi edhe tension.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në Kuvendin zgjedhor të Lidhjes Rajonale të Pejës, sipas klubit më të madh të saj, Besa, u desh intervenimi i policisë. Besa ka akuzuar kryetarin e kësaj lidhjeje, Bakir Burrin, që me çdo kusht ka kërkuar rizgjedhjen, pa pasur përkrahjen e anëtarëve. Sipas Besës, Burri përsëriti votimin derisa mori votat e mjaftueshme. Herën e pestë, po sipas komunikatës së dhënë nga klubi pejan, Burri ftoi edhe policinë të jetë e pranishme në hapësirën ku po mbahej mbledhja, të martën mbrëma, shkruan Koha Ditore.

Pakënaqësi, është raportuar të ketë pasur edhe në Kuvendin e lidhjes rajonale të Mitrovicës, ku për kryetar u rizgjodh Xhelal Broja. Votimi, sipas mediave lokale - pasi komunikatë për ngjarjen nuk pati as nga lidhja e as nga Federata – ishte i ngushtë dhe plot polemika. Deri më tash, vetëm votimi në Gjilan ka shkuar pa zhurmë dhe aty postin e kryetarit e ka fituar Naser Ajeti, ish-futbollisti i klubit Gjilani.

Ka mbetur të mbahen kuvendet edhe në katër lidhjet e tjera, në atë të Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjakovës, para se më 27 janar ta mbajë Kuvendin zgjedhor vetë FFK-ja. Edhe për Kuvendin e FFK-së ka kohë që ka akuza e qëndrime të kundërta. Ata që janë në udhëheqje të Federatës planifikojnë të mbajnë zgjedhje vetëm për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, ndërkohë ish-zv.sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Arianit Ahmeti, thotë se zgjedhje duhet të ketë edhe për kryetar. Sipas tij, kryetari Agim Ademi më 2018 u zgjodh për të vazhduar mandatin e lënë pas vdekjes së Fadil Vokrrit, të cilit do t’i përfundonte tash në janar, së bashku më të anëtarëve të KE-së. Por Ademi dhe zyrtarët e tjerë në Federatë thonë se zgjedhja e tij u bë për katër vjet, që i bie se tash e tutje çdo dy vjet do të ketë zgjedhje: njëherë për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv e njëherë për kryetar... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)