Derbi i Anamoravës pa fitues, ashtu edhe në Drenas, ndërsa fitore shënuan skuadra e Trepçës ’89 dhe Llapit në katër ndeshjet e zhvilluara sot në Superligën e Kosovës në futboll.
Derbi i Anamoravës ndërmjet Gjilanit dhe Dritës përfundoi pa fitues. Rezultati përfundimtar ishte 1 me 1 ku secila skuadër arriti të shënojë nga një gol në pjesën e parë.
Ishte skuadra e Gjilanit ajo që arriti të kalojë në epërsi në minutën e 34-të përmes Hysenit, ndërsa Drita arriti ta barazojë rezultatin në minutat shtesë të pjesës së parë me anë të sulmuesit kryesor Kastriot Rexha, i cili shënoi një gol me kokë, transmeton KP. Ky barazim nuk i prishë edhe shumë punë Dritës pasi që edhe Prishtina nuk arriti të fitojë.
Derbi tjetër i javës së 30-të i cili u zhvillua në Drenas ku u ndeshën skuadra e Feronikelit dhe Prishtinës përfundoi baras, pa gola. Skuadra e Prishtinës u mundua të bënte çmos që të arrinte deri te fitorja por kjo ishte e pamundur. Ky është barazimi tjetër me radhë i skuadrës së Feronikelit pas ardhjes se Starovës, i cili ende nuk e ka shijuar fitoren me skuadrën nga Drenasi.
Trepça ’89 ka arritur ta mposhtë skuadrën e Lirisë në ndeshjen e zhvilluar në Prizren. Nga një gol në çdo pjesë mjaftuan që Trepça 89 t’i marrë tri pikë ndaj Lirisë. Golat për skuadrën nga Mitrovica i shënuan Oto John në minutën e 20 ndërsa të dytin Arb Manaj në minutën e 85-të.
Edhe Llapi është rikthyer te fitorja pas dy humbjeve rresht nga liderët e Superligës. Llapi arriti ta mposhtë skuadrën e Drenicës me rezultat 1 me 0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi lojtari i Drenicës, Kreshnik Lushtaku i cili shënoi në portën e gabuar.