Valmir Veliu i Llapit është lojtari më i mirë i stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll. Kështu të paktën kanë vlerësuar lexuesit e portalit koha.net. Në të vërtetë njoftimin e KOHËS për sondazhin në koha.net e ka shpërndarë edhe klubi Llapi.
Për Veliun kanë votuar 1065 persona. Ermal Krasniqi i Ballkanit mori 816 vota, ndërsa Gerhard Progni i Gjilanit kishte 638 vota. Albert Dabiqaj i Gjilanit kishte 181 vota, kurse Marko Simonovski i Dritës mori gjithsej 161 vota.
Pesë lojtarët konkurrentë janë përzgjedhur nga redaksia e sportit e KOHËS. Sondazhi ishte hapur të dielën mbrëma, ndërsa është mbyllur në ora 23:00. Stinori vjeshtor ka përfunduar të dielën. Gjilani dimëron i pari. Ishte Gerhard Progni që ka shkëlqyer në stinorin vjeshtor, duke udhëhequr Gjilanin. Ai ka shënuar plot 12 gola, të fundit e realizoi të dielën në derbin ndaj Ballkanit, në fitoren 1:0.