Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Leverkuseni i Xhakës viziton Bayernin pas startit perfekt në kampionat

Pavarësisht se janë kaq herët në edicion, Bayern Munichu dhe Bayer Leverkuseni do të kthehen nga pushimet ndërkombëtare me një lojë të madhe në linjë. Të vetmit me rekorde perfekte në Bundesligë, do të takohen në Munich të premten mbrëma. Leverkuseni ka shënuar 11 gola në tri fitore dhe kryeson tabelën para Bayernin, që po ashtu ka nëntë pikë, por goldallim më të dobët. Megjithatë, kampionit në fuqi, Bayernit, iu desh të luftonte për të fituar 2:1 në ndeshjen ndaj Borussia Moenchengladbach në xhiron e fundit. Leverkuseni ka impresionuar me fitoret ndaj skuadrave si Leipzig, Gladbach dhe Darmstadt dhe fillimi i tij i fortë i edicionit ka ngjallur shpresat se Bayerni më në fund ka një rival që mund t'i japë fund dekadës së tij të dominimit. Fuqia bavareze ka fituar çdo titull kampioni në Gjermani që nga viti 2013. Të dyja skuadrat po udhëhiqen nga përforcimet e reja në sulm - Bayerni me golashënuesin e Anglisë, Harry Kane, dhe Leverkuseni me sulmuesin nigerian Victor Boniface. Së bashku, Kane dhe Boniface, janë përfshirë në 10 gola për skuadrat e tyre deri më tani. Mesfushori Granit Xhaka po drejton lojën për Leverkusenin pas ardhjes së tij nga Arsenali. Transferimi i Xhakës gjatë afatit kalimtar të verës ishte vetëm një nga disa që duket se janë shpaguar shpejt për drejtorin sportiv të Leverkusenit, Simon Rolfes. Mbrojtësi i krahut të djathtë i Leverkusenit, Jeremie Frimpong, gjithashtu ka luajtur mirë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Xabi Alonso. Frimpong tha se qëllimi i Leverkusenit është që të “mbahet zjarri i ndezur” këtë sezon. Leverkuseni humbi 4:0 në vizitën e tij të fundit në Munich, por mundi kampionin në fuqi 2:1 marsin e kaluar në atë që ishte ndeshja e parë e Alonsos në krye kundër ish-skuadrës së tij. Si lojtar, Alonso fitoi tre tituj radhazi të Bundesligës me Bayernin në fund të karrierës së tij të suksesshme. Kjo humbje nga Leverkuseni ishte e fundit për Julian Nagelsmannin si trajner i Bayernit. Zëvendësuesi i tij, Thomas Tuchel, ende nuk e ka rikthyer dominimin e padiskutueshëm të ekipit mes trazirave në “sallën e bordit”. Bayerni shkarkoi shefin ekzekutiv, Oliver Kahn, dhe drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiq pothuajse menjëherë pas fitimit të titullit edicionin e shkuar. Për skuadrën e Leverkusenit, udhëtimi i së premtes në Munih është një shans për të matur përparimin e ekipit ndaj Bayernit, që edhe më tej mbetet favoriti i qartë për një tjetër titull të kampionit në Bundesligë.

“Është testi i parë i vërtetë pas tri ndeshjeve që i kemi luajtur deri më tani. Besoj se do të vazhdojmë me ritmin që e kemi nisur edicionin, por nuk do të jetë aspak lehtë, sepse përballemi me Bayernin”, tha mesfushori i Leverkusenit, Robert Andrich. “Tani ne mund të shohim se ku jemi dhe a mund të jemi kandidat potencial për titullin e kampionit”.

Mesfushori i Bayernit, Joshua Kimmich, është në dyshim për këtë ndeshje pasi humbi fitoren 2:1 të Gjermanisë ndaj Francës të martën për shkak të një dëmtimi të lehtë. Të shtunën, Borussia Dortmundi, që nuk arriti ta fitojë titullin e kampionit edicionin e shkuar në xhiron e fundit, do të përballet me një lojë të vështirë në Freiburg. Dortmundi ka pasur vështirësi që nga fillimi i edicionit dhe skuadra u vërshëllye nga mbështetësit e saj pas barazimit 2:2 kundër Heidenheimit të promovuar në xhiron e fundit. Ishte barazimi i dytë i Dortmundit rresht pas fitores në xhiron e parë kundër skuadrës së Koelnit.