Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lëndimi i Varanes, goditje tjetër për mbrojtjen e Francës

Raphael Varane

(AP) – Kupa e Botës ka filluar të jetë në mendjet e lojtarëve. Reagimi i Raphael Varanes pasi u lëndua ndërsa luante për Manchester Unitedin në fundjavë ishte një dëshmi për këtë.

Mbrojtësi i Francës u largua nga fusha në “Stamford Bridge” në lot, pasi u dëmtua derisa u shtri për të bërë një ndërhyrje në pjesën e dytë të barazimit 1:1 të Unitedit me Chelsean. Pas trajtimit ai ishte i pikëlluar dhe e tërhoqi fanellën mbi kokë. Shokët e skuadrës së Unitedit erdhën pranë duke e ngushëlluar.

Vështirë të pritej një reagim normal nga Varane apo shokët e tij të skuadrës, ndaj një dëmtimi. Kjo për shkak se Kupa e Botës, e cila ka më pak se një muaj para fillimit, po rëndon në mendimet e tyre. Për trajnerin e Francës, Didier Deschamps, problemet në mbrojtje po grumbullohen, me aftësinë fizike të Varanes tani në dyshim për turne dhe mbrojtësit e tjerë që po shërohen nga lëndimet.

“Nuk e di, pasi çdo ditë po na shtohen problemet, sidomos në mbrojtje. Duhet të rishikojmë situatën dhe të shpresojmë që t’i kemi disa mbrojtës në gjendje të mirë për të luajtur”, tha Deschamps.

Varane është vendimtar për kampionen në fuqi të botës, si mbrojtësi i saj më i mirë dhe më me përvojë. 29-vjeçari elegant me top, ka lojë të jashtëzakonshme pozicionale dhe është një lexues i zgjuar i lojës. Ai bëri të gjitha 87 paraqitjet ndërkombëtare nën Deschampsin dhe luajti një rol vendimtar në suksesin e ekipit në Kupën e Botës katër vjet më parë. Partneri i tij i rregullt në qendër është Presnel Kimpembe, i cili ka bërë 28 paraqitje ndërkombëtare. Por ai sapo rifilloi stërvitjet pasi u rikuperua nga një dëmtim i kërdhokullës.

Edhe Kthimi i Varanes, arsye shtesë për të festuar te Franca Sport Kthimi i Varanes, arsye shtesë për të festuar te Franca

Kimpembe mund të paktën të luajë në disa ndeshje për Paris Saint-Germainin para Kupës së Botës. Wesley Fofana, i angazhuar nga Chelsea për 87 milionë euro në afatin kalimtar të verës, nuk ka bërë ende debutimin e tij te Franca, por mund të sigurojë një mbulim të vlefshëm për Deschampsin në Katar. Megjithatë, Fofana ka lënduar gjurin në fillim të këtij muaji dhe nuk pritet të luajë për Chelsean para fillimit të Kampionatit Botëror. Kjo do të thotë që William Saliba i Arsenalit ka një shans për t'u futur në skuadër – dhe ndoshta për të luajtur në ndeshjen hapëse të Francës kundër Australisë më 22 nëntor. Forma e 21-vjeçarit Saliba e ka ndihmuar Arsenalin të jetë në krye të Ligës Premier këtë edicion. Nëse Varane dhe Kimpembe janë jashtë fushës, atëherë Saliba mund të rreshtohet së bashku me Dayot Upamecanon të Bayern Muenchenit, i cili ashtu si Saliba ka shtatë paraqitje për Francën.

“Po i monitorojmë të gjithë mbrojtësit, përfshirë edhe ata të lënduarit. Nuk do të jetë lehtë të përpilojmë listën, por shpresoj se shumica prej tyre do të jenë të gatshëm për Botëror”, shtoi Deschamps.