Ngasësi i Ferrarit, Charles Leclerc, ka njoftuar se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Ai e konfirmoi vetë lajmin nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në “Twitter”.
“Po ndihem mirë dhe kam simptoma të lehta. Do të qëndroj i izoluar në shtëpinë time në Monaco në pajtueshmëri me rregullat e vendosura nga autoritetet lokale të shëndetësisë”, ka shkruar ai.
Më herët gjatë këtij muaji, ngasësi i McLarenit, 21-vjeçari Lando Norris, doli pozitiv për Covid-19, derisa ishte në pushime në Dubai.
Testimet për sezonin 2021 janë shtyrë për në mars. Çmimi i Madh i Australisë, që është edhe gara e parë, do të duhej të mbahej prej 19 deri më 21 mars por është shtyrë për datën 19 deri më 21 nëntor për shkak të masave të Covid-19.
Nga 23 garat në total, e para do të jetë ajo e Bahrejnit nga 26 deri më 28 mars.
Sezonin e fundit, ngasësit e Racing Point, Sergio Perez dhe Lance Stroll, si dhe kampioni i Botës, Lewis Hamilton i Mercedesit, dolën pozitiv për Covid-19.