Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lecce vazhdon formën e mirë në Serie A

Skuadra e Lecces ku aktivizohet mesfushori i Shqipërisë, Ylber Ramadani ka vazhduar me formën e mirë edhe në xhiron e pestë të kampionatit italian. Të premten mbrëma, Lecce triumfoi 1:0 në shtëpi ndaj skuadrës së Genoas.

Golin e vetëm në këtë takim, e shënoi sulmuesi Remi Oudin (84’), ndërsa Ylber Ramadani ishte i pazëvendësueshëm te Lecce në këtë triumf.

Kjo ishte fitorja e dytë karshi tri barazimeve për Leccen, ekip që ende nuk di për humbje këtë edicion.

Me këtë triumf, Lecce ka tubuar 9 pikë, 4 më shumë se Genoa.

Ndërkohë, dueli tjetër i kësaj xhiroje që u luajt të premten, ai ndërmjet Salernitanas dhe Frosinones ka përfunduar 1:1. Për Frosinonen, ky është barazimi i dytë këtë edicion, në të cilin ka edhe dy fitore e një humbje. Ka tubuar 8 pikë dhe zë vendin e pestë në tabelë. Ndaj Salernitanas, te Frosinone në stol ishte Arijon Ibrahimoviq, i cili nuk u inkuadrua fare në këtë takim.