Sulmuesi i Milanit, Rafael Leao, dhe portieri i Romës, Rui Patricio, janë përfshirë në listën e selektorit të Portugalisë, përfaqësuese e cila mund të luajë kundër Italisë në finalen e plejofit për Kupën e Botës.
Leao dhe Patricio janë të vetmit lojtarë nga Serie A që janë përfshirë në këtë listë.
Portugalia do të ballafaqohet me Turqinë në gjysmëfinale të plejofit dhe mund të luajë kundër Italisë në finale. Italia ballafaqohet me Maqedoninë e Veriut më 24 mars.
Selektori i portugezëve, Fernando Santos, duhet t’ia dalë pa Ruben Diasin, Nelson Semedon dhe Renato Sanchesin, derisa Roberto Mancini nuk do ta ketë të gatshëm Federico Chiesan i cili ka lëndim të rëndë në gju. Manuel Locatelli pritet të mungojë për shkak se është i infektuar me koronavirus.
Leonardo Bonucci është në dyshim për gjysmëfinale kundër Maqedonisë Veriore, por mund të shërohet në kohë dhe ta lë prapa lëndimin në pulpën e këmbës, për finalen e mundshme më 29 mars.