Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lazio synon ta ndalë hovin e Interit

Skuadra e Lazios këtë vikend do të ketë një mision të vështirë pasi do të përballet me Interin. Në fakt, kjo ndeshje është edhe derbi i xhiros së 16-të në Serie A të Italisë. Lazio është vendas në duelin që zhvillohet të dielën prej orës 20:45, në të cilin synon ta ndalë hovin e Interit. Skuadra e trajnerit Simone Inzaghi që ka 38 pikë është në një seri prej nëntë ndeshjeve në humbje në kampionat. Ka shtatë fitore e dy barazime prej disfatës së fundit, të cilën ia shkaktoi Sassuolo në fund të muajit shtator. Në anën tjetër, Lazio nuk ka treguar stabilitet në kampionat dhe është i dhjetë në tabelë me 21 pikë të mbledhura. Si Lazio ashtu edhe Interi, në mesjavë e konfirmuan kalimin në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve.

Milani kërkon të rikthehet te fitorja këtë xhiro pas humbjes që e pësoi javën e shkuar në udhëtim te Atalanta. Të dielën prej orës 12:30 Milani vlerësohet favorit ndaj Monzas në duelin që do të luhet në stadiumin “San Siro”.

Po ashtu, edhe kampioni në fuqi i Italisë, Napoli pritet të reflektojë pas humbjeve që i pësoi në dy xhirot e fundit nga Juventusi dhe Interi. Napoli, të shtunën luan në shtëpi kundër skuadrës së Cagliarit, ndeshje kjo që nis në orën 18:00.

Të shtunën, por prej orës 15:00, zhvillohet dueli mes Lecces e Frosinones, ndërsa të mbrëmje Torino e pret në shtëpi skuadrën e Empolit.

Skuadra e Romës që do të jetë pa sulmuesin Romelu Lukaku që është i suspenduar, do të ketë punë në udhëtim me Bolognan. Si Roma ashtu edhe Bologna kanë tubuar nga 25 pikë, ndërsa do të përballen të dielën prej orës 18:00.

Artikuj të ngjashëm