Sport

Largimi i Paqaradës konfirmon telashet e shumta te Kosova

Besart Berisha kishte shpërthyer duke akuzuar rëndë ish-përzgjedhësin e Kosovës, Albert Bunjaki. Madje e kishte vënë në dyshim edhe profesionalizimin e Bunjakit. Ngjashëm reagim të dielën ka pasur edhe Leart Paqarada. Paqarada ka njoftuar se nuk do të luajë më për Përfaqësuesen për aq kohë sa selektor është zvicerani Bernard Challandes. Në kampin e Përfaqësueses kanë zgjedhur heshtjen, derisa numri i lojtarëve të pakënaqur është goxha i madh

Paraqitja e futbollistëve të Kosovës përballë atyre të Spanjës në ndeshjen kualifikues për kampionatin botëror “Katari 2022”, që u luajt më 31 mars, u vlerësua lart. Nga kampi i Kosovës, por edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës lojtarët morën duartrokitje.

Por ende pa kaluar një javë nga ndeshja “e madhe”, Kosova mbetet pa një prej pretenduesve për t’u inkuadruar në krahun e djathtë të mbrojtjes. Është Leart Paqarada që të dielën nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale ka njoftuar se nuk do të luajë më për Përfaqësuesen për aq kohë sa selektor është zvicerani Bernard Challandes.

Ai pretendon se meriton të luajë dukshëm më tepër. Dhe për mungesën e hapësirës e fajëson direkt selektorin Challandes.

Largimi i Paqaradës nuk është edhe telashi i vetëm për Challandesin dhe për drejtuesit e Përfaqësueses. Largimi i tij është veç konfimim i telasheve te Kosova.

Përgjegjësit e Përfaqësueses nuk kanë dashur të komentojnë largimin e Paqaradës. KOHA ka kontaktuar menaxherin e Kosovës, Bajram Shala, si dhe drejtorin e Përfaqësueses, Muharrem Sahiti. Ky i fundi ka thënë se ndodhet në një takim, ndërsa më nuk u është përgjigjur thirrjeve të KOHËS, derisa Shala ka thënë se “nuk mund të them asgjë unë njëherë”.

Por, në fakt, telashet janë të mëdha. Gjatë grumbullimit për tri ndeshjet e muajit të kaluar, miqësoren ndaj Lituanisë dhe kualifikueset kundër Suedisë dhe Spanjës, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) përjashtoi portierin e parë Arijanet Muriq për thyerje të disiplinës. KOHA ka mësuar se Muriq ishte paraqitur i dehur në qendrën e fitnesit në hotelin “Emerald”, ku edhe Përfaqësuesja akomodohet në çdo grumbullim. Ndërkohë, mirë nuk e priti zëvendësimin Milot Rashica ndaj Spanjës. Ai u kap nga kamera duke e lëkundur kokën si shenjë pakënaqësie dhe u largua direkt për në zhveshtore. Pakënaqësi ka shfaqur edhe Edon Zhegrova që nuk u paraqit asnjë minutë në tri ndeshjet e muajit të kaluar, ndërsa edhe Betim Fazliji tha se “i dhemb pak zemra që nuk luajti” në ndeshjet ndaj Suedisë dhe Spanjës.

Se merituan të jenë pjesë e listës së Challandesit u shprehën edhe dy futbollistët e Hannoverit, Valmir Sylejmani dhe Florent Muslija. Të dy thanë se kanë merituar të jenë pjesë e listës, ndërsa burime të KOHËS kanë mësuar se edhe Shkëlqim Demhasaj nuk është ndarë i kënaqur që mbeti jashtë.

Por është Paqarada që tashmë ka marrë vendim dhe e ka bërë atë publik, pasi i është sosur durimi.

Paqarada, që karrierë bën në kategorinë e dytë gjermane te skuadra St. Pauli, ka thënë se është nder dhe krenari për të që të veshë fanellën e Kosovës. Ai, megjithatë, vlerëson se Challandes e ka degraduar.

“I mbështetur për muri nga degradimi që më është bërë në vazhdimësi nga trajneri, mosangazhimi në lojë prej vitesh, përkundër ftesave për të luajtur, mosrespektimi dhe injorimi nga ai, më detyrojnë që të vendos që përkohësisht të largohem nga dispozicioni për të luajtur në ekipin që udhëhiqet nga Bernard Challandes. Përzgjedhjen për të luajtur për Kosovën, krahas Shqipërisë apo në përfaqësueset e grupmoshave të Gjermanisë, e kam bërë pa asnjë mëdyshje. Gjë të cilën do ta bëj përsëri. Por jo nën drejtim të Bernard Challandes”, ka shkruar Paqarada.

Ai thotë se kështu po e mbron dinjitetin personal.

“Përkundër respektimit maksimal ndaj vendimeve të trajnerit, kam ardhur në pikën që ta mbroj dinjitetin tim nga ai. Si bir i Kosovës, jam i gatshëm të kontribuoj duke luajtur për Kombëtaren nga momenti kur të vij trajneri i ri. Dashuria ime për Kosovën dhe familjen time është më e madhe se mosrespektimi dhe injorimi i trajnerit. Trajnerët janë të përkohshëm, ndërsa Kosova është e përhershme. Ky vendim i rëndë është momental”, ka shkruar Paqarada, që nën drejtimin e Challandesit ka luajtur 783 minuta në 13 ndeshje prej vitit 2018.

Në total, ai ka 21 ndeshje e një gol për Kosovën.

Edhe në të kaluarën ka pasur pakënaqësi për drejtim të Challandesit, si reagimi i Bernard Berishës dhe Besar Halimit, ndërsa në të kaluarën sa ishte përzgjedhës Albert Bunjaki, të pakënaqur ishin shprehur Besart Berisha, Albert Bunjaku dhe Donis Avdijaj, ndër të tjerë. Edhe Bersant Celina herë pas here mungonte në grumbullime, meqë kërkonte nga përzgjedhësi, atëbotë Bunjaki, të merrte garanci të luante titullar te Kosova. Vend në fazën ofensive ka kërkuar edhe Benjamin Kololli. Ai nuk është ndarë asnjëherë i kënaqur që ka luajtur si mbrojtës i krahut të majtë. Madje Challandes ishte pyetur se pse nuk e aktivizoi Paqaradën në mbrojtje, por preferoi të luante me Kolollin në mbrojtje.

“Kololli është një lojtar i shumë pozitave”, pati thënë ndër të tjera Challandes pas ndeshjes ndaj Spanjës.

Te Kosova telashe lidhur me hapësirën ka pasur që nga ndeshja e parë ndërkombëtare. Shumë lojtarë kanë ardhur të bindur se do të jenë startues. Shumë prej tyre edhe u është premtuar kjo. Madje në një kohë kur Bunjaki vendoste për shumë lojtarë ofansivë, kjo shihej më shumë se tentim i tij për të mbajtur të kënaqur yjet e skuadrës, që assesi nuk e pranonin stolin. Ende të gjithë rezervistët e pranojnë stolin me vështirësi. Për shumë prej të ftuarve është e papranueshme që të ftohen e të mbesin vetëm në stol. Mungesa e konkurrencës në shumë pozita bën që të durohen edhe sjellje joadekuate të lojtarëve. Të tilla ka shumë në fakt.