Sport

Lara Colturi po bëhet gati që t’i sjellë Shqipërisë medalje të mëdha nga skijimi

Ajo është vetëm 16-vjeçare, por të gjithë po flasin për të - Lara Colturi. Italiania e cila garon për Shqipërinë, konsiderohet superylli i ardhshëm i garave të skijimit. Dimrin e kaluar, në moshën 15-vjeçare, ajo la gjurmë në nivelin më të lartë të garave në hapjen e sezonit në Solden (Austri). Shiu dhe bora e freskët e penguan për të dalë në podium. Këtë herë skitarja e talentuar do të udhëtojë drejt Otztalit. Mbetet për t'u parë nëse do të garojë.

“Ne do të vendosim pak para garës”, thotë menaxheri i saj, Andrea Cappelletti.

Arsyeja për këtë është se Colturi dëmtoi ligamentin e kryqëzuar në gjurin e djathtë në muajin shkurt gjatë ngrohjes për një lëshim në Kupën e Botës. Ajo nuk dëshiron të flas për këtë dhe ka një arsye të fortë.

“Unë nuk rashë në një gropë të thellë, por thjesht bëra më shumë për shkollimin pas operacionit. Dhe isha thjesht duke shijuar kohën”, thotë Colturi me një buzëqeshje. “Është kaq e thjeshtë sa i përket lëndimit tim”.

E ëma e saj është kampione olimpike

Colturi së bashku me ekipin e saj prej muajit shtator është duke u përgatitur në St. Moritz të Zvicrës. Pjesë e ekipit të saj është edhe e ëma, Daniela Ceccarelli (48), kampioni olimpike në Super-G në vitin 2002. Në fakt ajo është trajnerja e Colturit. Pjesë e ekipit janë edhe trajneri kondicional Martino Delleani dhe menaxheri Cappelletti.

“Gjatë dëmtimit mësova të fokusohem edhe më shumë tek vetja dhe të jetoj momentin”, thotë Colturi.

Colturi ndoshta është e vetëdijshme për zhurmën që po rritet rreth saj. Nuk është çudi, në fund të fundit, pasi të gjithë duan të dinë nëse ajo do të jetë ylli tjetër i madh i skijimit.

“Unë nuk i bëj asnjë presion vetes, thjesht përpiqem të argëtohem”, thotë ajo.

E ëma Daniela shpjegon se nuk është gjithmonë e lehtë që të merret me vajzën e saj. “Lara është shumë kërkuese në stërvitje, ajo mërzitet shpejt dhe për këtë arsye gjithmonë dëshiron të ketë sfida të reja”, zbulon Daniela.

Kjo vërehet edhe në pistën e tartanit në St. Moritz Bad, ku ushtrime të ndryshme të sprintit dhe vrapimeve shpërthyese ndjekin njëra-tjetrën me shpejtësi.

“Bëj programin e plotë dhe nuk kam dhimbje në gju”, thotë Sara e lumtur.

Mbështetja shtesë falë Red Bullit

Colturi nuk stërvitet gjithmonë vetëm. Në dëborë ajo shpesh bashkohet me ekipet e tjera - veçanërisht Zelandën e Re dhe Italinë. Në të njëjtën kohë, si sportiste e Red Bullit, ajo përfiton nga qendra më moderne e performancës në Salzburg të Austrisë, ku shpesh stërvitet nën sytë e legjendës, trajnerit Robert Trenkwalder. Colturit nuk i mungon asgjë nga jeta që kanë shumica e 16-vjeçareve.

“Për mua ka qenë gjithmonë normale të skijojë dhe të mos rri me miqtë. Për mua skijimi është si të marr frymë”, insiston ajo. “Kur jam në shtëpi dhe kam kohë pushimi, më pëlqen të shëtis qenin tim, të dëgjoj muzikë ose të shikoj Netflix”.

Himni i Shqipërisë? “I vështirë”

Pyetja që mbetet për Colturin, është: A e di tashmë përmendësh himnin shqiptar? Ajo u paraqit për Shqipërinë në Kampionatin e fundit Botëror për juniore, ku fitoi medaljen e artë në Super-G në St. Anton (Austri), duke mposhtur disa konkurrente shumë më të vjetra.

Colturi, nëna e së cilës dikur këshillonte Federatën Shqiptare të Skijimit, thotë: “Jo ende. Himni është i vështirë. Për momentin po përpiqem të mësoj gjermanisht pas italishtes, frëngjishtes dhe anglishtes. Por është e vështirë”.

Do të kalojë pak kohë derisa të intonohet himni i Shqipërisë në Botëror. Nisur nga talenti i saj, të shumtë janë ata që besojnë se kjo do të ndodhë në vitet e ardhshme. Por së pari Colturi, e cila përfundoi e 17-ta dy herë në Kupën e Botës dimrin e kaluar, duhet të hapë rrugën e saj për t'u rikthyer në majë të botës. “Kam ende kohë”, thotë ajo duke buzëqeshur.