Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Laporta beson se mund ta bindë Messin të qëndrojë te Barça

Barcelonë, 29 dhjetor (AP) – Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, planifikon fushatë të thjeshtë në përpjekjen e tij për t'u rizgjedhur në postin udhëheqës te klubi katalonjas. Sipas Laportas, shansi më i mirë për t’u kthyer në pozitën e presidentit është që ta bindë yllin Lionel Messi të qëndrojë në “Camp Nou”.

Laporta është një prej disa kandidatëve që garojnë për t'u bërë presidenti i ardhshëm i Barcelonës në zgjedhjet e klubit, që do të mbahen më 24 janar. Përveçqë kishte udhëhequr me sukses Barcelonën një dekadë më parë, krediti më i fortë i Laportas për të fituar votat është marrëdhënia e tij me Messin, e ardhmja e të cilit në klub është në dyshim të madh.

“Shpresoj ta bind Messin të qëndrojë edhe disa vjet me ne në mënyrë që kjo histori e bukur që ai ka te Barcelona të mund të vazhdojë”, tha Laporta në një intervistë për “Associated Press”. “Unë kam nderin të kem besueshmërinë e lojtarit. Kur takohemi, Messi gjithmonë më thotë se unë kam bërë atë që kam thënë se do ta bëj, dhe kjo është diçka për të cilën unë jam shumë krenar dhe nuk dua ta humbas”.

Laporta e njeh Messin prej kohës kur u zgjodh president i klubit për herë të parë në vitin 2003. Atëbotë, adoleshenti Messi i ishte bashkuar klubit spanjoll pasi u largua nga Argjentina me familjen e tij. Në fillim të detyrës së tij si president, Laporta zgjodhi Frank Rijkaardin e papërvojë si trajnerin e tij të parë dhe solli Ronaldinhon, Samuel Eto'on dhe Decon për t'u bashkuar me talentet si Carles Puyol dhe Xavi Hernandez.

Messi shpejt u ngjit nëpër ekipet e të rinjve të Barcelonës dhe u promovua në ekipin e parë në vitin 2004. Ekipi u ngrit shpejt dhe fitoi dy tituj kampioni në La Liga dhe trofeun e dytë evropian në vitin 2006. Kur ajo skuadër filloi të lëkundej, Laporta bëri një lëvizje tjetër të guximshme duke zëvendësuar Rijkaardin me Pep Guardiolan të papërvojë, si dhe e shiti Ronaldinhon.

Edhe Nis epoka e Laportas si president i Barcelonës Sport Nis epoka e Laportas si president i Barcelonës

Guardiola riorganizoi ekipin përreth Messit, Xavit dhe Andres Iniestas, duke garantuar periudhën më të lavdishme në historinë e klubit. Laporta nuk mundi të kandidonte për mandatin e tretë radhazi në vitin 2010. Ai u përpoq të zhvendoste Josep Bartomeun nga posti i presidentit në zgjedhjet e vitit 2015, por Bartomeu fitoi falë suksesit të trefishtë të ekipit – Liga e Kampionëve, La Liga dhe Kupa e Spanjës. Bartomeu dha dorëheqjen në tetor kur u përball me mundësinë e përjashtimit në një lëvizje mosbesimi të mbështetur nga mijëra anëtarë të klubit, të zemëruar pas paraqitjeve të dobëta të ekipit dhe situatës së keqe financiare të klubit. Barcelona pësoi një humbje historike 8:2 ndaj Bayern Munchenit në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve në gusht, dhe borxhet e detyruan klubin që praktikisht të largonte lojtarë si Luis Suarez për të ulur barrën e pagës.

Shqetësimi i madh, megjithatë, është hapi që Messi do të bëjë tani. Messi e befasoi Barcelonën në gusht kur tha se dëshironte largimin. Klubi, megjithatë, rezistoi, dhe ai u tërhoq - të paktën për momentin. Ai ka luajtur fort gjatë këtyre muajve të fundit me ekipin që kishte ulje dhe ngritje me trajnerin e ri Ronald Koemann, i cili po përpiqet të rinovojë skuadrën.

Kontrata e Messit skadon në qershorin e ardhshëm, që do të thotë se ai është i lirë të negociojë me klube të tjera që nga data 1 janar. Megjithatë, Messi tha të dielën e shkuar se ai nuk do të marrë një vendim mbi të ardhmen e tij deri në fund të sezonit. Barcelona do të qëndrojë nën një bord të përkohshëm, i cili nuk ka kompetenca për të nënshkruar kontrata deri në shkurt kur bordi i sapozgjedhur do ta marrë detyrën.

Laporta tha se pavarësisht se kishte mbajtur ato që ai i quajti bisedime “jozyrtare” me Messin gjatë viteve, ai ende nuk e ka konfirmuar lojtarin në fushatën e tij zyrtare.

“Unë dua të jem president i klubit të futbollit Barcelona, t’i ​​shikoj llogaritë dhe të di në mënyrë të përsosur cilat janë mundësitë që ne kemi t'i japim atij një propozim ekonomik”, tha Laporta. “Por për mua propozimi ekonomik me Messin nuk është gjëja më e rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme është t'i propozosh atij një ekip shumë konkurrues, sepse Leo dëshiron të fitojë kampionate”.

Janë shtatë kandidatë të tjerë të deklaruar, por konkurrenca do të zvogëlohet nga një proces i mbledhjes së nënshkrimeve. Pak më shumë se 2.250 nënshkrime janë të nevojshme për njërin prej kandidatëve që ta fusë emrin në fletëvotim. Rreth 110 mijë anëtarë të klubit do ta kenë të drejtën e votës.

Që nga largimi prej klubit, Laporta ka mbajtur punën e tij si avokat, por gjithashtu u fut edhe në politikë. Ai ishte anëtar i parlamentit rajonal të Katalonjës (2010-2012), duke mbështetur pavarësinë e rajonit të pasur të verilindjes. Lëvizja separatiste katalonjase që Laporta e mbështet ka gjeneruar ndarje të thella politike dhe shoqërore në Spanjë. Megjithatë, Laporta tha se do të siguronte që Barcelona do të “integronte ide dhe mënyra të ndryshme të të menduarit” për tifozët e saj që nuk pajtohen me politikën e tij. Tani, në moshën 58-vjeçare, Laporta është i bindur se përvoja i tij e udhëheqjes së ekipit përmes riparimeve të hollësishme jo një herë, por dy herë duhet të jetë e mjaftueshme për ta kthyer atë në pozitë.

Edhe Laporta: Për dallim nga kandidatët e tjerë për president, kam besimin e Messit Sport Laporta: Për dallim nga kandidatët e tjerë për president, kam besimin e Messit

“Unë mund ta kthej gëzimin për tifozët e Barcelonës, sepse kam përvojën tashmë”, tha ai. “Unë kam angazhimin dhe përgatitjen e nevojshme për të marrë vendimet që i duhen klubit”.

Edhe pse para 17 vjetësh u zgjodh për herë të parë president i Barcelonës, Laporta ende di se si t'i bëjë tifozët e Barçës të ndihen mirë duke bërë shaka me rivalin e tyre të përbetuar. Ai nisi fushatën e tij duke shpalosur një poster të madh që mbulonte një ndërtesë 13-katëshe jo në Barcelonë, por në Madrid dhe atë përballë stadiumit “Santiago Bernabeu” të skuadrës së Real Madridit. Posteri i tij përmbante mesazhin: “Të etur për t’u parë përsëri”.