Los Angeles Lakers e kanë përfunduar serinë prej shtatë ndeshjeve në udhëtim me fitore ndaj Charlotte Hornets, që ishte pa pesë koshashënuesit kryesor.
LA Lakers triumfoi me rezultatin 101:93 për ta regjistruar fitoren e katërt në udhëtim karshi tri humbjeve në shtatë ndeshje. Edhe te LA Lakersat mungoi ylli kryesor LeBron James, i cili është i lënduar që nga fillimi i këtij muaji.
Megjithatë, mungesën e Jamesit, e kompensoi Kyle Kuzma që ishte më efikasi me 24 pikë të shënuara. Dennis Schroder shtoi 19 pikë derisa Andre Drummond pati 12 kërcime te LA Lakers, që ndeshjen e radhës e luan në shtëpi kundër Bostonit, të premten.
Te Charlotte, më efikasit ishin Devonte Graham e Caleb Martin. Graham ndeshjen e mbylli me 19 pikë derisa Martin shtoi 17 pikë e dhjetë kërcime.