Sport

Kupa çon perden e stinorit “përvëlues”

Nëse plani i Drenicës realizohet, atëherë rruga e shkurtër për në Evropë do të përfundojë të shtunën (sot) për një skuadër pretenduese. 

Drenica nga ora 12:30 e pret Gjilanin në Skënderaj në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Gjilani synon të dalë në Evropë, ndërsa kjo mundësohet edhe me triumf në garën për Kupë. Por njëjtë si Gjilani, edhe Drenica i ka synimet për të kaluar fillimisht në gjysmëfinale të Kupës, shkruan sot Koha Ditore.

Me ndeshjet çerekfinale të Kupës fillon gara e futbollit në vend për vitin 2020. Dy ndeshje luhen të shtunën (sot), një të dielën e një tjetër të mërkurën. 

Në çerekfinale luhet vetëm nga një ndeshje. Në të vërtetë skuadrat e futbollit në vend kanë nisur shumë më herët me ndeshje. Bëhet fjalë për ndeshje përgatitore që janë luajtur në Kosovë, por edhe në bregdetin turk dhe atë të Shqipërisë. Pritet që në pranverë të zhvillohet garë e fortë në Superligë, por edhe në garën për Kupë. 

Për herë të parë tri skuadra kosovare do të garojnë në Evropë, në edicionin e ardhshëm. Kampioni do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa nënkampioni dhe fituesi i Kupës në kualifikimet e Ligës së Evropës. Për më tepër, katër skuadra largohen nga Superliga në fund të këtij edicioni. Kjo do ta bëjë garën edhe më të fortë. 

Megjithatë para se të nisë gara e fortë në Superligë, tetë skuadra kërkojnë kalimin në gjysmëfinale të Kupës, që paraqet rrugën më të shkurtër për në Evropë. Drenica nuk vlerësohet pretenduese për titull dhe përmes Kupës e ka mundësinë e hapur të debutojë në Evropë. 

Drenica renditet e gjashta në Superligë me 24 pikë. Ndërkohë Gjilani është prej pretenduesve për titull të kampionit. Renditet i dyti pas stinorit vjeshtor me 32 pikë, një më pak se Ballkani. 

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)