Sport

Kujtimi për kolosin e sportit do të jetojë përgjithmonë

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Kolos i referimit dhe njeri i madh i sportit. Këto janë disa nga epitetet që i janë dhënë pionierit të referëve të futbollit në Kosovë e më gjerë, Shinasi Berisha, në mbledhjen komemorative të mbajtur të enjten në Prishtinë.

Berisha, referi i parë nga Kosova me stemën e FIFA-s, ndërroi jetë të mërkurën në moshën 73-vjeçare nga sëmundja e Parkinsonit. Ai të enjten pasdite është varrosur në Prishtinë, në prani të familjarëve dhe miqve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Teksa të pranishmëve ne mbledhjen komemorative iu drejtuan anëtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit dhe të familjes, në një ekran të madh shfaqeshin fotografi për të kujtuar karrierën e pasur të Berishës si refer ndërkombëtar, por edhe si punëtor sporti në klube dhe Federatë.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së, tha se vendi i Berishës në historinë e sportit të Kosovës është i pakontestueshëm. “Jam këtu për të përcjellë ngushëllimet për humbjen e kolosit të sportit të Kosovës. Shinasi Berisha nuk ishte vetëm njëri prej gjyqtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, por ishte edhe një profesionist i vërtetë dhe një lider i madh që bëri shumë për sportin e Kosovës, në veçanti futbollin. Andaj, humbja e tij është shumë e madhe për sportin e Kosovës në përgjithësi, jo vetëm futbollin”, tha Salihu.

“Kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm në futboll dhe për këtë arsye vendi i tij është i pakontestueshëm në sportin e Kosovës. Ai është njeri që dha shumë për futbollin e Kosovës, të cilin e promovoi dhe gjithashtu nxori gjenerata të reja të gjyqtarëve”, shtoi ai.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)