Sport

Kujtimi për Florijana Ismailin përjetësohet përmes një asociacioni me emrin e saj

Një vit më parë futbollistja shqiptare e përfaqësueses së Zvicrës, Floriana Ismajli, kishte vdekur pas një incidenti tragjik. Ajo ishte zhytur në liqenin e Komos gjatë një aventure me barkë, por nuk u shfaq më asnjëherë. Aksidenti i tmerrshëm la zbrazëti të madhe në jetën e familjes dhe shokëve të Florijana Ismajlit, ka shkruar “blick.ch” të hënën.

Por tri shoqe kanë siguruar që “Flo” të mos harrohet dhe që të ketë vend të ri e të vlefshëm në futbollin e femrave. Tri bashkëlojtaret e dikurshme të Florijanës, Melanie Mueller, Stephanie Erne dhe Gentiana Morina kanë formuar asociacionin “Florijana Ismajli -FI9”. Është asociacion përkrahës për futbollin e femrave.

“Flori gjithnjë ka qenë shumë e përkushtuar për sportin e saj. Ajo ka investuar shumë kohë në promovimin e futbollit të femrave dhe që ta bëjë atë më popullor. Tani ne duam që përmes asociacionit të sigurojmë që vizioni i saj do të jetojë”, ka thënë Mueller, lojtare e Zvicrës.

Tri futbollistet po japin maksimumin në këtë drejtim. Asociacioni ka bërë punë të madhe për kohë të shkurtër. Nën emrin e Ismailit, ato organizojnë turne dhe “FI9 stërvitje”, për vajzat e reja deri në 17-vjet. Melanie, Stephanie dhe Gentiana po marrin shumë përkrahje.

Edhe lojtaret reprezentuese kanë luajtur në turnetë në sallë gjatë dimrit. Lojtarët e Young Boysit po ndihmojnë duke u paraqitur në stërvitje. Interesimi është shumë i madh.

Në korrik, asistent-trajnerja e përfaqësueses, Marisa Wunderlin do të udhëheq stërvitjet. Është krijuar edhe një koleksion i rrobave për stërvitje, FI9. Natyrisht pjesë e tyre është një logo me kapelë, shenjë dalluese e Ismailit. Tri lojtaret dhe shoqet tjera të ngushta kanë bërë tatuazhe kapelat, në shenjë kujtimi për Flo, pas vdekjes tragjike.

Por Morina, Erne dhe Mueller ia kanë kushtuar jetën bashkëlojtares. Ato punojnë në projektin e klubit çdo javë. Bëjnë reklama për anëtarët aktiv dhe pasiv. Kërkojnë sponsorë. Gjithçka përveç punëve normale dhe futbollit. Mueller luan për përfaqësuese dhe për skuadrën elitare nga Luzerni, ndërsa punon me angazhim 80 për qind si shitëse. Erne dhe Morina luajnë po ashtu. Erne punon si specialiste për ushtrime dhe në promovim të shëndetit, po ashtu me angazhim 80 për qind. Ndërkohë Gentiana punon me angazhim të plotë.

“Ka shumë punë për të bërë. Ne punojmë dhe ndonjëherë planifikojmë natën. Ne kemi pushuar vetëm për shkak të koronavirusit. Për shkak të virusit kemi anuluar turneun e paraparë në qershor”, ka thënë Mueller.

Në të ardhmen kurset e stërvitjeve do të mbahen edhe në qytetet tjera. Deri më tani janë mbajtur në qytetin ku kishte jetuar Florijana, në Bern.

“95 për qind e vajzave që kanë ardhur të ne tashmë luajnë në klub. Ne duam t’i ndihmojë ato profesionalisht. Ne po ashtu e shohim veten si pikë kontakti për pyetjet për karrierën në futboll, për përshtatjen e vendit të punës dhe sportit”, ka theksuar Mueller.

Çka do të thoshte Ismaili për projektin FI9?

“Do të ishte shumë krenare dhe e lumtur që funksionon kaq mirë. Në stërvitjen e parë nëntë lojtare erdhën. Në të dytën tashmë ishin 23”, ka treguar Mueller.

Sot tri futbollistet dhe shoqe të tjera kanë vizituar varrin e Florijanës dhe më pas kanë dalë të ushqehen së bashku. Prej nesër puna vazhdon në nderim të Ismailit.