Mesfushori dhe kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, ka thënë se pavarësisht disfatës, Ballkani do të luftojë deri në fund për të kërkuar kualifikimin në fazën nokaut. Ballkani të enjten mbrëma u mposht 2:1 nga Astana e Kazakistanit, kurse Kuç e shënoi golin e barazimit 1:1 në minutën e tetë.
“E kishim përgatitur lojën mirë të gjithë, lojtarët, stafi dhe trajneri. Ne në çdo lojë hyjmë për fitore. Kemi hyrë në lojë me këmbë në tokë, nuk kemi fluturuar. E kemi ditur se Astana nuk është kundërshtare e lehtë, pavarësisht dy humbjeve. Ka lojtarë cilësorë. Normalisht se kemi hyrë lojë për të fituar, por pranuam dy gola nga dy shanse. Provuam deri në momentet e fundit. Fusha ishte pak e rënduar dhe ishte vështirë për të luajtur”, tha Kuç për “ArtMotion”, duke shtuar se disfata nuk e demoralizon skuadrën.
“Ne jemi si familje, edhe në fitore edhe në humbje. Të gjithë dëshirojmë të fitojmë dhe luftojmë deri në momentin e fundit. Derisa i kemi gjasat matematikisht, do të luftojmë deri në fund. Me këtë kualitet, staf, organizim, i kemi shanset tona. Por deri sa të kemi mundësi matematikisht për kualifikim, do të luftojmë”, theksoi ai.