Për 77 vjetët e fundit lojtarëve iu duhen dy gjëra për të luajtur futboll për ekipin Chivas Guadalajara: talenti dhe një pasaportë meksikane. Mirëpo, ndërsa divizioni i parë i futbollit dikur homogjen i Meksikës u rrit me shpejtësi dhe u bë i larmishëm, rregulli vetëm i lojtarëve meksikanë te Chivasi tani është i vlefshëm vetëm në këtë skuadër. Këtë sezon, më shumë se një e treta e lojtarëve që luajnë në Liga MX të Meksikës janë të lindur jashtë vendit, si dhe 10 nga 12 golashënuesit kryesorë. Apelimi ndaj nacionalizmit meksikan duke refuzuar të nënshkruajë me lojtarë të huaj e ka bërë Chivasin një nga klubet më të njohura të vendit. Por kjo është gjithashtu një arsye e madhe që ekipi ka vetëm dy tituj të kampionit këtë shekull dhe vetëm tre qëkur Meksika shkoi në formatin e turneut të shkurtër të futbollit në vitin 1996. Megjithatë, Ricardo Pelaez, drejtori i ekipit, insistoi se Chivasi nuk e ka ndërmend ta ndërrojë strategjinë që e ka instaluar për më shumë se shtatë dekada.
“Është një nder të punojmë vetëm me meksikanë. Ka gjëra që nuk duhet të ndryshojnë”, tha Pelaez në spanjisht për rregullin e kombësisë së klubit. “Futbolli si sport është shumë i rëndësishëm në nivel shoqëror sepse lejon miliona njerëz të ndihen të identifikuar me një ekip. Por identifikimi nuk bëhet nga ngjyrat apo logoja e klubit, është nga filozofia, historia që ato përfaqësojnë një klub. Te Chivasi ne nuk mund të heqim dorë nga rregulli që e kemi vendosur. Chivasi përfaqëson besim absolut tek meksikanët. Chivasi është nacionalizëm. Është klub i popullit dhe për popullin”.
Pelaez përdori një listë shumëkombëshe të futbollistëve për të udhëhequr Club American, armikun më të madh të Chivasit drejt tre titujve në kampionit midis vitit 2011 dhe 2017 para se të transferohej në Guadalajara vitin e kaluar. Mirëpo si lojtar aktiv, Pelaez luajti për të dy ekipet.
“Unë jam krenar që jam pjesë e Chivasit, për të cilin nuk kam dyshim se është klubi më i dashur në futbollin meksikan”, insistoi ai.
Një pjesë e arsyes për këtë është rregulli vetëm për lojtarët meksikanë, i cili në të vërtetë nuk është aspak një rregull. Edhe pse Chivasi u themelua në fillim të shekullit të XX nga studentët belgë dhe francezë që jetonin në Guadalajara, klubi u nda shpejt me një fraksion, të udhëhequr nga punëtorët meksikanë të frymëzuar nga revolucioni i vendit, duke këmbëngulur që skuadra të fuste vetëm lojtarë të lindur në Meksikë. Ky sugjerim nuk u ndoq gjithmonë. Por në vitin 1944, kur u krijua liga e parë kombëtare profesionale e vendit, klubi përsëri u zotua të përdorte vetëm meksikanët. Ajo marrëveshje mes disa zyrtarëve të klubit nuk u shkrua kurrë dhe as nuk u votua. Në fakt, frymëzoi debat për vite me radhë. Por, marrëveshja vazhdoi edhe kur ekipi fitoi shtatë tituj të ligës midis vitit 1957 dhe 1965, pasi nacionalizmi i rreptë u bë një parim i klubit. Futbolli meksikan ka ndryshuar në mënyrë dramatike që atëherë. Liga MX tani është një nga ligat më të pasura në hemisferën perëndimore, duke e bërë atë një destinacion për lojtarët më të mirë të Amerikës së Jugut. Në fakt, aq shumë të huaj kanë vërshuar në Liga MX, saqë liga vendosi një kufizim prej 10 lojtarëve të huaj të futen në listën e secilit klub, por jo më shumë se tetë të lejohen të luajnë në fushë. Chivas është shkëputur nga ata lojtarë - dhe nuk po tërheq më as meksikanët kryesorë. Njëmbëdhjetë vjet më parë Chivasi dërgoi pesë lojtarë në Kupën e Botës me ekipin kombëtar, më shumë se çdo ekip në Liga MX. Ka vetëm dy lojtarë në listën e Meksikës për kualifikimet e Botërorit “Katari 2022” të këtij muaji. Ndërsa, tre rivalë të Chivasit po dërgojnë më shumë lojtarë në përfaqësuese.
“Chivas po jeton në rregullat që asnjë klub nuk jeton në ditët e sotme”, tha ish-reprezentuesi i SHBA-së, Herculez Gemez, i cili luajti për pesë ekipe në Meksikë. “Ishte gjithçka më e lehtë për Chivasin kur lejonte vetëm katër apo pesë të huaj, pasi kishin edhe lojtarët më të mirë meksikanë. Tani nuk është kështu dhe Chivasi nuk është aspak i barabartë në fushë me ekipet e tjera”.
Chivas lehtësoi rregullat kur nën pronësinë e Jorge Vergaras, duke nënshkruar me lojtarët kalifornianë Jesus Padilla, Isaac Brizuela dhe Miguel Angel Ponce, të cilit i kishin prindërit meksikanë, ishin të kualifikuar për nënshtetësi.
Edhe
Heroi i papritur i Meksikës nga i cili Anglia duhet të ketë frikë
Pelaez tha se do të donte të rekrutonte më shumë lojtarë me shtetësi të dyfishtë por janë vështirë të gjenden. Ndërkohë Chivasi do të mbështetet në akademinë e tij, që dikur prodhoi lojtarë si Javier Hernandez, Carlos Vela dhe Carlos Salcido. Kishte shpresë së Chivasi mund të hiqte dorë nga rregulli i rreptë kur Amaury Vergara, një regjisor i arsimuar në SHBA, mori përsipër pronësinë e klubit pas vdekjes së babait të tij në vitin 2019. Por Vergara 34-vjeçar deri më tani ka qëndruar në të njëjtën linjë dhe është shumë i popullarizuar te tifozët për qëndrimin e tij.
“Baza e tifozëve të Chivasit është e kënaqur, sepse është një ndjenjë krenarie që ekipi të jetë i përbërë vetëm nga meksikanët”, shtoi Gomez.
Përveç mbajtjes së fortë të politikës së Chivas në lidhje me shtetësinë, Vergara ka trashëguar edhe padurimin e babait të tij, pasi muajin e kaluar shkarkoi trajnerin e tij të tretë në dy vjet. Babai i tij ndryshoi trajnerët 26 herë në 17 vjet.